Me kërkesë të Ambasadës amerikane, përfaqësues të institucioneve të shtetit e opozitës do të takohen sot në një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Të zgjedhurit e partive opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Atyre do iu bashkangjiten edhe përfaqësues nga Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi. Në takim marrin pjesë edhe nga shoqëria civile, ndërsa, kryeministri Kurti nuk është ftuar.
Ftesa për takim e Ambasadës amerikane, takim ky i inicuar nga ambasadori Jeff Hovenier, u bë publike një javë më parë.
“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, thuhet në përgjigje të ambasadës për Radion Evropa e Lirë.
Anipse vetë liderët e tyre nuk do të jenë prezentë, të tri partitë opozitare kanë përzgjedhur nga një përfaqësues që do ta dërgojnë në këtë takim, i cili do të mbahet në selinë e Ambasadës amerikane në Kosovë.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu ka konfirmuar se vetë Memli Krasniqi nuk do të mund të shkojë, pasi do të jetë për vizitë në ShBA, por se do ta delegojë një përfaqësues të lartë nga partia.
Marrë parasysh se edhe Haradinaj aktualisht po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nga AAK-ja do të përzgjedhet një përfaqësues.
Sot u bë e ditur edhe nga LDK-ja se një përfaqësues nga strukturat e partisë do të marrë pjesë në takimin për Asociacionin.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe nga Zyra e Kurtit, Osmanit, e Konjufcës.
Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës do të jetë përfaqësues i Kryeparlamentarit në takimin për Asociacionin të thirrur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, që parashihet të zhvillohet ditën e nesërme.
Kjo është konfirmuar Ilir Kërçeli, sot gjatë ditës.
“Po unë do të jem në takim”, tha shkurtimisht, për Reporteri.net, shefi i kabinetit të Konjufcës.
Por për dallim nga i pari i Qeverisë i cili nuk është ftuar, dy zëvendësit e tij janë ftuar në këtë takim. Emilja Rexhepi e ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa edhe Besnik Bislimi pritet të jetë aty, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar për të.
Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, po ashtu ka deklaruar se anipse Kurtit s’i kanë çuar ftesë, në diskutim për Asociacionin, nga Ambasada është ftuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.
Po ashtu, se do të shkojë në këtë takimin në Dragodan, ka njoftuar edhe Ministri serb i Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq.
Të pranishëm nesër janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë tjerë. Ndër ta, pjesëmarrës do të jenë përfaqësues nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Kujtojmë se Fondacioni “Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Instituti Evropian për Paqe” kanë publikuar draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Drafti në fjalë që i ka 18 nene, përgjithësisht është i ngjashëm me atë të mëparshmin që ishte rishfaqur në publik muaj më parë. Veç se në këtë draftin e ri, Asociacioni është riemërtuar në “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë”.
Një ditë para këtij takimi, përmes një teksti autorial, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kanë bërë thirrje përsëri Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Chollet dhe Escobar kanë thënë gjithashtu se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
“Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e tyre.