Gjithçka që dihet deri më tani për plagosjen në Shtërpcë

Gjithçka që dihet deri më tani për plagosjen në Shtërpcë

Gjykata Themelore e Ferizajt i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit Azem Kurtaj, pjesëtar i FSK-së, për plagosjen e dy personave në Shtërpcë, komunë e banuar me shumicë serbe.

Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se është vlerësuar se ekziston dyshimi që në një fshat të Komunës së Shtërpcës, i dyshuari me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S dhe S.S.

Më tej bëhet e ditur se në kundërshtim me Ligjin për armët në Kosovë, i dyshuari ka përdorur armën me leje.

Lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kurtajt, ka folur edhe avokati i tij, Kujtim Kërveshi.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se mund të ketë montim të provave ndaj Kurtajt.

“Deri në komunikimin e radhës, do të përmbahem nga komentimi i fakteve, të cilat, në mënyrën e përshkrimit siç i ka përshkruar Prokuroria janë fizikisht të pa mundura, pa dashur të përjashtoj opsionin e montimit të provave kundër Kurtajt siç është ndryshimi i deklaratës së dhënë në publik nga familjarja e njërit nga të dëmtuarit e supozuar e që më jep me besu se kontaminimi politik dhe keqdashës në këtë rast, dhe/ose ndërhyrja në këtë rast e atyre që Kosovën duan ta shohin të rrënuar ka qenë thirrja kryesore për përfshirjen tonë në mbrojtjen e Kurtaj”, tha avokati Kërveshi.

Më 6 janar Policia e Kosovës njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

Lidhur me rastin, në po të njëjtën ditë, PK-ja ka identifikuar e më pas ka arrestuar të dyshuarin Azem Kurtaj, pjesëtar i FSK-së.

Menjëherë pas arrestimit të tij, Prokuroria e Ferizajt kishte bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pjesëtarit të FSK-së.

Pas incidentit të ndodhur, po at natë të premten e 6 janarit, rrugët që të çojnë për në Shtërpcë u bllokuan. Banorët bllokuan rrugën duke vendosur goma të veturave dhe degë të drunjve. Në orën 22:00 filloi largimi i pengesave.

Pas plagosjes së dy të rinjve serbë, të dielën u protestua në Shtërpcë.

Aty u tha se protesta u organizua pas “shtypjes së vazhdueshme të serbëve në Kosovë”.

Ndaj incidentit në Shtërpcë kanë reaguar të premten edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë.

Ndërsa Kurti tha se është “thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”.

Edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë e kanë dënuar incidentin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

Related Articles