Gjithçka që dihet për rënien e dronit të KFOR-it në Mitrovicë

Gjithçka që dihet për rënien e dronit të KFOR-it në Mitrovicë

Një dron i KFOR-it ra të mërkurën në oborrin e një shtëpie në lagjen Bair të Mitrovicës.

KFOR-i e ka konfirmuar për Gazetën Express se droni që ra në Mitrovicë u përkiste atyre. Si arsye e rrëzimit është dhënë një defekt në funksionim.

Ky dron po kryente një mision rutinë monitorimi në kuadër të aktiviteteve të KFOR-it.

“KFOR konfirmon se një nga dronët e tij ra në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është tërhequr nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas rënies së tij.

KFOR-i dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe për të mos krijuar shqetësime të shkaktuar nga incidenti”, kanë thënë nga KFOR-i.

Nga Policia s’kanë dhënë ende detaje për rastin.

Për këtë rast është deklaruar një prej banorëve të shtëpisë ku ra droni. Ai ka treguar se si ai fillimisht kishte rënë në ballkonin e shtëpisë e më pas në tokë.

Sipas tij, në momentin kur ka rënë ai ka bërë zhurmë dhe se ka qenë i pajisur me kamerë.

Qytetari tregon se si vet ia kanë hequr baterinë.

“Këtu ka rënë në ballkon dhe nga ballkoni ka rënë këtu në tokë. Do krahë e do sene iu kanë çmontu. Na e kemi kap, e kemi prek me dorë, e kemi kontrolluar. I ka pas do letra dhe i kanë shkruar do numra, por nuk ka pasur një flamur ose diçka tjetër”, ka thënë ai.

Ai tregoi se si droni ishte i gjatë rreth 3 metra e gjysmë.

Krahët i ka pas tri metra, 3.5 dhe një metër ka qenë gati i gjerë. E ka pas një zhurmë. Ka qenë me kamera me krejt, me parashutë ka qenë. punojke. Tani na e kemi kap në dorë dhe e ka pasur një zhurmë si me dasht me u nis, por e kemi kap dhe ja kemi heq baterinë edhe u ndal. Po vet ja kena heq se zhurme jena tut prej tij”, ka thënë ai. /Gazeta Enigma.

Related Articles