Dy pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë janë hapu. Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës. Ndërkohë, edhe barrikadat e vendosura nga serbët lokalë janë hequr. Në disa vende kanë mbetur vetëm ato që janë të djegura. Situata të premten mund të përshkruhet si e qetë.
Kamionët e vendosur në barrikada nga serbët lokalë, kishin 21 ditë pa u ndezur. Prandaj disa nga ta edhe ishte e vështirë të viheshin në funksion. Por nuk kaloi gjatë e automjetet në Zupç të Zubin Potokut u larguan.
Pas më shumë se dy javë, rruga që të shpie në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, u lirua.
Kështu, tani të gjitha barrikadat në veri të Kosovës të cilat i kishin vendosur bandat kriminale serbe për 20 ditë, ato janë larguar nga të njëjtit persona që i kishin vendosur. Barrikada e fundit që u largua të premten ishte në Zupç të Zubin Potokut.
Kështu, menjëherë pas barrikaduesve filloi lëvizja e veturave dhe kamionëve me mallra.
Por, kishte kamionë që detyroheshin të kthehen prapa pasi zyrtarisht ende s’ishte njoftuar se pika kufitare në Bërnjak dhe ajo në Jarinjë ishin hapur.
Me tej para pendës së Ujmanit është pika e kontrollit e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës e cila vazhdoi të jetë edhe të premten funksionale, ashtu siç ka qenë për 21 ditë me radhë.
Ata ndalonin vetëm në automjete e persona ndaj të cilëve kishin dyshime. I qetë si uji i Ujmanit, ishte edhe rruga deri në kufi.
Megjithatë, kufiri vazhdoi të jetë i mbyllur deri në orën 14:30 kur Policia e Kosovës njoftoi për hapjen e tyre.
Edhe pavarësisht rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat të premten në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në komunikatën e policisë.
Pas largimit të barrikadave, qarkullimi pa ndonjë problem vazhdon edhe në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.
Sidoqoftë, derisa një makineri e rëndë t’i largojë kamionët barrikadues të djegur, ata do të qëndrojnë mbi urën e fshatit Lisice.
Ndërkohë, pas 21 ditësh bllokim në pikën kufitare në Jarinjë, policët dhe doganierët janë zëvendësuar nga kolegët e tyre.VIDEO: