Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se pas fillimit të zbatimit të dispozitave ligjore që rregullojnë hapjen e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët individualë dhe disa Oda Ekonomike kanë parashtruar padi pranë gjykatave kompetente, konkretisht në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore, me kërkesa për pezullimin e Njoftimit për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike i cili i ka pasur karakter informues, raporton Gazeta “Enigma”.
Nga ZRrE në një përgjigje për Gazetën “Enigma” kanë konfirmuar se Gjykata Komerciale ka refuzuar kërkesat për pezullimin e zbatimit të Njoftimit për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.
“ZRRE informon publikun se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative me Aktvendimin A. nr. 1839/2025 të datës 19.06.2025, ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit ka njoftuar për pezullimin e procesit të hapjes së tregut.
“Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë për përgjigje Individuale që ka të bëj me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal, ku ZRRE me datën 03.06.2025 i ka kthyer përgjigje dhe ndaj përgjegjës/njoftimit së ZRRE është parashtruar Padi me kërkesën për pezullim të këtij Njoftimi. Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit KA .nr. 283/25 ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit, por kjo nuk nënkupton pezullimin e procesit të hapjes së tregut”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën “Enigma”.
“Do të ankohemi në instancat më të larta gjyqësore”
Tutje ata kanë njoftuar se “për më tepër, ZRrE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike”.
“ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur për ndërmarrjet ekonomike, të cilat tejkalojnë njërin nga kriteret e përcaktuara: më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro”.
“ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik”. /Gazeta Enigma/