Gjykata Speciale e konfirmon: Ish-krerët e UÇK-së në Hagë do të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Gjykata Speciale e konfirmon: Ish-krerët e UÇK-së në Hagë do të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Të gjithë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që aktualisht ndodhen në Hagë në paraburgim, do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhje më 9 shkurt.

Tashmë, të gjitha masat janë marrë që kjo e drejtë e Thaçit dhe të tjerëve, të realizohet.

Gjykata Speciale e Hagës ka konfirmuar se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat që ata të votojnë.

“Janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës për Nacionale.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt të vazhdueshëm me Dhomat e Specializuara që votimi të realizohet.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se votimi do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së.

Aktualisht në Hagë janë duke u mbajtur: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari, Isni Kilaj, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Pjetër Shala, Salih Mustafa dhe Haxhi Shala.

Related Articles