Pavarësisht se kanë kaluar gati dy javë nga zgjedhjet lokale, debatet mbi to dhe rezultatet vazhdojnë të jenë temë diskutimi në Kosovë.
Sot, Gjykata Supreme ka udhëzuar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që të kryejë rinumërimin e votave në disa vendvotime të një prej komunave të vendit.
Bëhet fjalë për Komunën e Istogut.
Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar ankesën e Avni Gashit, kandidat për asamblist në Komunën e Istogut nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e kthyer çështjen për rivendosje në PZAP.
Gashi kishte apeluar fillimisht në PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialeve zgjedhore në disa vendvotime specifike, por ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar më 14 nëntor. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.
Në vendimin e saj, Supremja ka konstatuar se PZAP nuk ka vepruar në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe ka shkelur nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep kompetencë PZAP-së për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.
Gjykata Supreme theksoi se rinumërimi i votave në vendvotimet e caktuara është i domosdoshëm për të siguruar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe për të ruajtur integritetin e procesit, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve, i sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.
PZAP tani është e detyruar që, në rivendosje, të shqyrtojë të gjitha pretendimet dhe provat e paraqitura nga ankuesi, duke zbatuar udhëzimet e Gjykatës Supreme dhe duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë, pa devijuar vullneti i qytetarëve.
