Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot zhvillon një takim me Këshillin grevist, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të nisur viti shkollor.
Sektori i arsimit ndodhet në grevë, pasi SBASHK-u po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për paga.
Pas një takimi të dielën, kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, morën vendim që greva të vazhdojë për kohë të pacaktuar.
Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.
Qeveria e Kosovës thotë se projektligji që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.
Ndërkaq, Ymer Ymeri, sekretari i SBASHK-ut ka thënë se shpreson që sot do të gjendet jë mirëkuptim për ta realizuar kërkesën e anëtarësisë, për shkak se shuma prej 100 eurove nuk është një shumë që rëndon buxhetin e Kosovës.
“Derisa në takim janë të ftuar edhe Këshilli Grevist, besoj shumë se kërkesat tona do të jenë të mirëkuptuara dhe të realizueshme, meqë do të arsyetohen nga ky këshill, si dhe kryeministri ka mundur të analizojë situatën deri më tani”, tha ai.