Faqja zyrtare e ish-presidentit Hashim Thaçi në Facebook, është hakuar.
Këtë për Klankosova.tv e konfirmoi ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj.
“Po, faqja zyrtare e presidentit Thaçi, e cila ka qenë pasive që nga dita e dorëheqjes së tij, më 5 nëntor 2020, është hakuar. Asaj i është ndryshuar emri, fotoja dhe karakteri. Rastin tashmë e kemi adresuar zyrtarisht në Policinë e Kosovës”, tha Behramaj.
Faqes i është mbetur vetëm emri Hashim, ndërkohë që iu është larguar mbiemri, si dhe është postuar një fotografi e re e Thaçit në formë të animuar.
Faqja e Thaçit ka mbetur pasive që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara, me postimin e fundit që daton më 2 nëntor të vitit 2020, ku dënon sulmin terrorist në Vjenë të Austrisë.
Thaçi, bashkë me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, nga nesër do të dalin para trupit gjykues në Hagë, ku do të nisë procesi gjyqësorë.
Ndërkohë, sot është paralajmëruar për një marshim të madh në Prishtinë, ku do të protestohet kundër Gjykatës Speciale.