Haliti: Ndërkombëtarët mund ta rrëzojnë Kurtin nga pushteti, nëse s’i respekton marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë

Haliti: Ndërkombëtarët mund ta rrëzojnë Kurtin nga pushteti, nëse s’i respekton marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë


Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga PDK-ja, Xhavit Haliti në një intervistë ekskluzive për Gazetën Enigma ka thënë se kreun e Qeverisë, Albin Kurti aktualisht nga pushteti mund ta rrëzoj vetëm presioni ndërkombëtar, në rast se ai s’i zbaton marrëveshjet e nënshkruara ndër vite me shtetin e Serbisë, shkruan Gazeta Enigma.

Kështu ka deklaruar Haliti, teksa ka shtuar se aktualisht nuk ka sinjale se ndërrimi i qeverisë është afër të ndodhë.

“Unë shoh një mundësi tjetër, që edhe të pakënaqurit në VV të votojnë për ta ndryshuar Qeverinë, por s’e kam të sigurt që do të ketë zgjedhje pse opozita mund ta rrëzoj, ajo që unë e shoh të mundshme është sipas meje që nëse z.Kurti vazhdon të pengojë, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë atëherë mund të ketë lëvizje edhe nga ata që mund ta bëjnë këtë, ta krijojnë hapësirën për zgjedhje të reja. Gjithmonë e kanë bë këtë, veçanërisht me vendet e vogla si Kosova që janë të varura shumë në gjitha aspektet nga perëndimi”, theksoi ai.

Haliti mes tjerash hodhi akuza edhe kundrejt presidentes, Vjosa Osmani, e cila sipas tij po i lëkund qëndrimet e saj, varësisht nga pala që ka përballë.

Ish themeluesi i UÇK-së, Xhavit Haliti ndër të tjera foli edhe për ikjen e të rinjve, ngecjet në fushën e ekonomisë e atë të drejtësisë.

Intervista e plotë:

Gazeta Enigma: Si e vlerësoni punën e Qeverisë aktuale, ku sipas juve janë ngecjet më të mëdha në këtë qeverisje dhe ku duhet punuar më shumë?

Haliti: Detyrë e çdo Qeverie është rritja ekonomike, punësimi i qytetarëve, të drejtat e tyre si shkollimi i mirë, lufta kundër korrupsionit, shëndetësia e mirë organizuar…kemi 23 vjet që përpiqemi që t’i bëjmë sigurimet shëndetësore për qytetarët akoma nuk kemi asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe unë mendoj që edhe nuk ka sqarime të duhura për ngecjet, kemi largimin nga Kosova të më shumë se 200 mijë qytetarëve dhe çka është me e keqja të rinisë dhe trurit të Kosovës, intelektualët, mjekët e mirë, motrat medicinale po ikin jashtë për kushte më të mira. Njohje nuk ka të pavarësisë së Kosovës, ka sa vjet që nuk është deklaruar asnjë shtet që e njeh pavarësinë e Kosovës. Procesi i negociatave është bërë një shoë mediatik, më shumë sesa që ka informim të saktë, ka një analizë të duhur politike dhe publike sa ju përket bisedimeve me Serbinë, lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen e marrëdhënieve tona, lidhur me çështjet që duhet dhe kemi obligim t’i zbatojmë. Realisht unë po dëgjoj zëra të çuditshëm që tani Kosova e ka fituar lirinë qe dy vjet, tani dhe kjo është e tepërt me e thënë ata që nuk kanë asnjë kontribut për lirinë e Kosovës, kështu që e kuptoj që ka pasur të meta edhe në Qeveritë e mëparshme, ka pas gabime, ka pasur korrupsion sepse korrupsioni nuk është çrrënjos nga askush deri më sot, por ajo që është me rëndësi është që të paktën të ketë një debat dhe një sqarim publik dhe politik në institucionet e Kosovës që do të dinim ku jemi.

Gazeta Enigma: Ku po ngec ekzekutivi?

Haliti: Më kujtohet që kur e ka marrë Kurti Qeverinë i kam thënë publikisht që prioritet të parë do t’i kesh dhe do të jesh i detyruar që ta nënshkruash marrëveshjen (me Serbinë) dhe të zbatosh marrëveshjet e arritura, ai pati thënë që kjo është çështje e fundit. Problemi është, tek investimet në ekonomi dhe hapja e vendeve të punës, unë s’po shoh zhvillim, nuk po shoh investime në prodhim, nuk po shoh investitor që po vinë në Kosovë, përjashto këta që së fundmi kanë ardhur për prodhimin e energjisë diellore, por edhe kjo është problem në veti. Duhet të veprojmë njësoj siç bëjnë shtetet e BE-së dhe jo ato që na pëlqejnë neve si Qeveri po i zbatojmë, kurse ato që nuk na pëlqejnë jo, sepse s’mund të jemi të vetmit konkurrues në treg. Gjithçka duhet bërë nën rregullat e BE-së.

Të formohet asociacioni pa kompetenca ekzekutive”

Gazeta Enigma: E kemi parë që kryeministri Albin Kurti po përballet me presion të madh ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të komunave serbe. Kush mendoni se do lëshoj pe, pala kosovare apo serbe?

Haliti: Qeveria e Kosovës edhe ajo serbe po bëjnë ‘shoë’ për interesa elektorale më shumë, por ekziston një marrëveshje më 2013 dhe 2015 dhe është arritur një marrëveshje në Ohër e panënshkruar por e zotuar dhe kjo marrëveshje meqë ka qenë e ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA atëherë kjo është obligative dhe të dyja palët mund të taktizojnë por obligimet i kanë të barabarta me zbatu atë. Asociacioni është nënshkruar edhe ai duhet të zbatohet në variantin që e ka deklaruar përfaqësuesi i SHBA-së dhe i BE-së, të mos ketë kompetenca ekzekutive. Tani disa kompetenca duhet t’i ketë, ai s’mund të ketë kompetenca vetëm mbajtjen e koncerteve në gjuhën e tyre, por duhet t’i ketë kompetencat që ja garanton Kushtetuta e vendit, dhe mendoj se ajo u garanton mjaft kompetenca komunave, dhe ato nëse donë me bo një asociacion, duhet me bë. BE-ja është duke e pritur projektin e Qeverisë së Kosovës që do t’ia jap BE-së, dhe ky projekt do analizohet dhe të miratohet diçka e pranueshme për të dyja palët, por jo e kënaqshme për asnjërën palë tërësisht. Sa më gjatë që e shtyjmë është gabim, sepse Serbia i ka tri variante të veprimit në veri dhe në territorin e Kosovës dhe ne duhet t’i mbyllim strategjitë e Serbisë me zgjidhjen e këtij problemi. Pra duhet të shënohen kufinjtë, të bëhet demarkacioni mes dyja vendeve dhe të filloj procesi urgjent i dyja vendeve me hy në BE. Ky është oblgim dhe tani me mentalitetin e shekullit të kaluar nuk shkohet dhe nuk mund të zgjidhen problemet evropiane.

S’ka punë, s’ka paga të duhura për të rinjtë”

Gazeta Enigma: E përmendët zhvillimin ekonomik, papunësinë…e kemi pa tash së fundmi që është marr vendimi për heqjen e vizave për Kosovën. A besoni se kjo do ndikoj në rritjen e trendit të ikjes së rinisë kosovare drejt vendeve evropiane?

Haliti: Ikja dhe largimi i qytetarëve nga Kosova është bërë në disa faza edhe në të kaluarën. Ne kemi pasur edhe në kohën kur ka qenë Federata jugosllave ne kemi udhëtuar pa viza, kudo në Evropë, nëse ke pasur para me veti, nëse ke mujt me jetu për aq kohë sa të është leju, ose e ke pasur dikë të afërm, por s’ke pas mundësi me gjetë punë. Procesi pas 81-tës është ikja e atyre që janë ikur politikisht nga Kosova, edhe faza tjetër është bërë kur kosovarët janë larguar nga puna në vitet 90-ta, tani nuk është problemi që dikush po e largon nga puna dikë, por s’ka punë fare, s’ka paga të duhura në ekonominë private, ka ankesa shumë. Pra, problemi është tek funksionimi i institucioneve shtetërore të kontrollit dhe të gjithë ekonomisë së vendit por edhe të planifikimit ekonomik që duhet të bëhet. Ne kemi folur shumë për diasporën dhe deri tash nuk ka asnjë program joshës për diasporën për të investuar në Kosovë, për tu kthy, sepse kthimi në Kosovë nga diaspora bëhet vetëm kur krijohen mundësi për fëmijët e tyre dhe diasporës që të investojnë dhe të kenë profitet e tyre sepse nuk e besoj që ka ndonjë njeri që jeton jashtë që ëndrrat nuk i sheh në Kosovë, ansaj ikja është evidente dhe ikja mund të bëhet shumë problem sa i përket popullatës në Kosovë sepse tani në Evropë ka nevojë të madhe, sepse Evropa është plakur. Cdo vit, vende të caktuara si Gjermania, Zvicra, Austria kanë nevoja të mëdha për punëtor dhe normalisht pagat janë më të mira, dhe kjo do t’i tërheq njerëzit për të kërkuar punë aq më shumë njerëzit e kualifikuar që kanë diploma në shërbime.

“Presidentja Osmani po i ndërron qëndrimet, varësisht nga takimet”

Gazeta Enigma: Si e vlerësoni rolin e Presidentes Vjosa Osmani. A po i përmbush pritshmëritë që qytetarët kishin tek ajo, si një ndër personat më të votuar në Kosovë?

Haliti: Presidentja Osmani është notere e Kosovës dhe ajo po përpiqet të prezantohet më shumë sesa ka kompetenca dhe më shumë sesa që ja lejon kushtetuta. Ajo po merr pjesë në ‘vakina’, cka nënkupton kjo, ajo po shkon në lagjet e Kalabrisë, e qet një pllakë atje, shkon në konferenca ndërkombëtare ose në promovime të presidentëve të zgjedhur. Pra komunikimi politik i presidentes duhet me qenë me president të vendeve të caktuara, dhe këto janë komeptencat e saj. E dyta, ajo është faktor i unitetit qytetar në Kosovë, dhe deklarimet e saj nuk janë të qëndrueshme sa del me një qëndrim të ashpër në raport me bisedimet, kur e takon dikë të spektrit ndërkombëtar e ndryshon deklaratën, pastaj del prapë në pozicionin e mëparshëm. Mendoj që po përpiqet ta prezantoj veten më shumë saqë është.

Gazeta Enigma: Po e shohim një zbehje të zbatimit të agjendës legjislative. Si po e vlerësoni performancën e partisë shumicë në Kuvend?

Haliti: E kam një mik timin dhe më pyet vazhdimisht si kalove sot në kopsht. Parlamenti po funksinon në mënyrën e vet, por realisht lë shumë për të dëshiruar, për ta pasur një nivel më të mirë. Një nivel më të kualifikuar të debatit, jo shtyrje për çdo fjalë se kush e thotë, por për të diskutuar për probleme dhe kur kemi debate për keqpërdorime apo diçka tjetër duhet me pas një analizë, dhe duhet të shihet nëse qëndron ajo. Ligjet duhet të miratohen dhe nuk e kemi problem këtë. Ne edhe në të kaluarën kemi miratuar ligje të përshtatshme për subjekte të veçanta dhe ne duhet tash që gjitha ligjet ti bëjmë të përshtatshme për Kosovën dhe të përshtatshme edhe për pozitën dhe opozitën, që kur opozita e sotme ta merr nesër pushtetin me qenë e lumtur që po vazhdon me u zbatu ligji, pra ligje të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Gazeta Enigma: Z.Haliti me krejt këto zhvillime e ngecje që i përmendët a po shihni zgjedhje të jashtëzakonshme në horizont?

Haliti: Sipas numrave që e ka VV-ja me aleatët e vet që i ka, në qoftë se e mban kështu të bashkuar nuk mund të ketë zgjedhje sepse opozita nuk ka numra për rrëzim të qeverisë. Por nëse Qeveria e fut veten në mosbesim në parlament, unë shoh një mundësi tjetër, që edhe të pakënaqurit në VV të votojnë për ta ndryshuar Qeverinë, por s’e kam të siguritë që do të ketë zgjedhje pse opozita mund ta rrëzoj, ajo që unë e shoh të mundshme është sipas meje që nëse z.Kurti vazhdon të pengojë, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë atëherë mund të ketë lëvizje edhe nga ata që mund ta bëjnë këtë, t’a krijojnë hapësirën për zgjedhje të reja. Gjithmonë e kanë bë këtë, veçanërisht me vendet e vogla si Kosova që janë të varura shumë në gjitha aspektet nga perëndimi. /GAZETA ENIGMA.

Related Articles