Në një letër zyrtare drejtuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të masave të BE-së ndaj Kosovës. Ai argumenton se vendi ka përmbushur të gjitha standardet demokratike dhe ka bërë sakrifica të rëndësishme në rrugën e tij drejt integrimit europian.
Hamza thotë se Kosova ka zhvilluar tre procese zgjedhore brenda një viti, të cilat, sipas tij, kanë qenë “demokratike, transparente dhe paqësore”, pavarësisht bllokadës së mëvonshme në formimin e qeverisë. Kjo, thekson ai, dëshmon për “pjekurinë demokratike të Kosovës”, ndërsa vazhdimi i masave të BE-së e konsideron “të paarsyeshëm dhe të padrejtë”.
Në letër, Hamza kujton edhe çmimin politik dhe juridik që Kosova ka paguar ndër vite, duke përfshirë votimin në Kuvend për themelimin e Dhomave të Specializuara.
“Parlamenti i Kosovës themeloi Dhomat e Specializuara, një kërkesë e imponuar vetëm mbi vendin tonë, të cilat fatkeqësisht janë shndërruar në një instrument monoetnik”, shkruan ai, duke rikujtuar se deri tani para drejtësisë kanë dalë vetëm udhëheqësit e gjeneratës themeluese të shtetit.
Ai shton se Kosova “ka paguar një çmim të lartë për lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e një Republike demokratike që respekton detyrimet ndërkombëtare”. Për këtë arsye, Hamza kërkon që BE-ja ta trajtojë Kosovën njësoj si vendet e tjera të rajonit dhe të mos e privojë më nga “mjetet, mundësitë dhe mbështetja e nevojshme” për ecjen drejt BE-së dhe NATO-s.
Letra e plotë, në gjuhën angleze:


