Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se është hapur konkursi për 25 diplomatë të rinj, shkruan Gazeta Enigma.
Gërvalla ka bërë me dije se aplikimi do të jetë i hapur deri më 3 tetor.
“Përfaqësimi i denjë i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ofrimi i shërbimeve cilësore konsullore për qytetarët tanë jashtë vendit arrihet vetëm përmes rritjes së theksuar të cilësisë dhe profesionalizmit të diplomatëve që shërbejnë në MPJD dhe në misionet diplomatike të Kosovës. Përmbyllja e reformave të thella në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka krijuar tashmë mundësi të reja për angazhimin e një brezi të ri diplomatësh, të kualifikuar dhe profesional”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka siguruar se procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të rinj do të jetë i ndershëm, kërkues dhe sfidues, dhe i bazuar vetëm në parimin e meritokracisë.
“Kosova ka nevojë për përfaqësuesit më të përgatitur dhe të përkushtuar për të prezantuar vlerat e saj në botë. Të gjithë kandidatët që e kalojnë fazën e parë të përzgjedhjes do t’i nënshtrohen një trajnimi të mirëfilltë, jo vetëm në fushën e diplomacisë tradicionale, por edhe në qasjet bashkëkohore të saj. Aplikimi për këtë konkurs është i mundshëm deri më: 3 tetor 2024, ora 23:59. Konkursi është i ndarë sipas gjuhëve të huaja. Kështu synojmë të plotësojmë disa prej nevojave të menjëhershme”, ka shkruar tutje Gërvalla.