Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.
Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Sa i përket çështjes së hapjes së urës kryesore mbi Ibër, Kurti tha se duhet të trajtohet përmes dialogut.
“E vetmja urë që ka persona të uniformuar sipër saj është ura kryesore mbi Ibër. Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it, mirëpo këtë çështje e zgjidhim me bashkëbisedim të hapur e dialog të sinqertë”, ka thënë deklaroi Kurti.
Kurti tha se me hapjen e kësaj ure për këmbësorë, “rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mirovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”.
Ndërkaq, Durmishi kujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim një urë tjetër mbi Ibër, dedikuar për automjete.
“Sot po e shënojmë hapjen e një vepre hidraulike dhe artisitike, jo vetëm thjesht një urë për këmbësorë por një vepër arti”, tha Durmishi.
Ndërtimi i kësaj ure u bë pas një memorandumi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.
