Liderët e opozitës kanë zhvilluar takime të ndryshme jashtë Kosovës, mirëpo jo me asistencë të ambasadave, por me kapacitete vetanake, shkruan Gazeta Enigma.
Në vazhdën e takimeve, një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës i prirë nga lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka qëndruar ditë më parë për një vizitë dy ditore në në Rotterdam të Holandës, ku patën marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane.
Lidhur me këtë viztë, LDK-ja ka kërkuar edhe asistencën e Ambasadës së Kosovës në Holandë, megjithatë nuk janë përfillur nga Ambasada. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Enigma edhe zëdhënsja e kësaj partie, Sibel Halimi.
Po, është kërkuar asistence nga ambasada, dhe e njëjta nuk është dhënë. Gjithsesi LDK ka vazhduar me kapacitetet vetanake të përfaqësojë me se miri Kosovën në Kongresin e EPP me pjesëmarrje të jashtëzakonshme të udhëheqësve evropiane”, ka thënë Halimi.
Halimi tutje ka thënë, Abdixhiku përpos pjesëmarrjes ai ka prezantuar domosdoshmërinë e mbështetjes së shteteve të institucioneve evropiane ndaj Republikës së Kosovës dhe të ardhmes së saj Evropiane.
Mes tjerash, Halimi thekson se Abdixhiku ndaj të gjithë liderëve të vendeve evropiane, kërkoi mbështetje për Kosovën, në liberalizim, në anëtarësim drejt Këshillit të Evropës.
“Poashtu, në drejtimin e tij ndaj të gjithë liderëve të vendeve evropiane, ai u kërkoi mbështetje për Kosovën – në liberalizim, në anëtarësim drejt Këshillit të Evropës e në ngritjen e vëmendjes së BE-së ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë tutje zëdhënsja.
“Derisa, iniciativa e LDK-së dhe me sponzorizimin e partisë më të madhe austriake, Die Volkspartei (ÖVP) u votua rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës. Takimi ka shërbyer dhe për një mori takimesh bilaterale, dhe për darkën e përbashkët të liderëve të Partive Popullore Evropiane”, ka shtuar Halimi.
Ndërsa, edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka drejtuar akuza në adresë të Ambasadës së Kosovës në Washington.
Në një prononcim për Gazetën Enigma, nga AAK-ja thanë se liderit të kësaj partie asnjëherë të vetme nuk iu është refuzuar viza nga asnjë shtet. Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka thënë se Haradinaj ka informuar përpara ambasadën për vizitat, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur dhe nuk e kanë pritur ish-kryeministrin.
“Asnjëherë të vetme nuk iu është refuzuar viza ish-kryeministrit Haradinaj nga asnjë shtet. Për vizitën në SHBA, Haradinaj ka informuar përpara ambasadën për agjendën e vizitave të tij, por të njëjtit nuk janë përgjigjur dhe nuk e kanë pritur Haradinajn. Si rrjedhojë e kësaj, janë përdorur kapacitet vetanake, por edhe me raste përcjellje sipas protokollit të sigurisë në shtetet amerikane në të cilat ka qëndruar Haradinaj”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.
A konsiderohet shkelje mospërmbushja e detyrimeve të ambasadës ndaj liderëve gjatë vizitave të tyre?
Në lidhje me këtë çështje, ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha ka thënë për Gazetën Enigma se është shkelje e rëndë nga ana e ambasadës në detyrimet e saj.
“Ambasada e Kosoves i takon shtetit dhe perfaqeson te gjithe shtetasit e saj per cfaredo nevoje apo sherbimi. Nenkuptohet, ketu perfshihen edhe aktivitet shteterore por edhe politike”, ka thënë ai.
Madje, Berisha shtoi se nëse konfirmohen detajet, duhet të ndërrmerren të gjitha masat ndaj ambasadorit sepse sipas tij sjellje të tilla janë tregues të mungeses elementare të kulturës shtetërore, turpërim për vendin.
“Në qoftë se konfirmohen detajet, atëherë sigurisht që duhet të ndermerren të gjitha masat ndaj ambasadorit, sepse sjellje të tilla janë tregues i mungesës elementare të kultures shtetërore, turpërim për vendin”, ka thënë Berisha.
Mes tjerash, ish-ambasadori bëri një krahasim me pjesëmarrit e kryetarëve të partive nga EPP të vendeve të ndryshme, duke theksuar se e kanë të paimagjinueshme de facto sabotimin e ambasadës.
Si përfundim, Berisha tha se nuk mund të befasohemi me abuzime të këtilla të misionit diplomatic të ministres Gërvalla dhe stafit të saj.
“Marrë parasysh logjiken joshtetërore të VV-së dhe mungesën elementare të kulturës diplomatike të ministres Gervalla, edhe nuk mund te befasohemi me abuzime të këtilla të misionit diplomatik dhe stafit të saj”, ka përfunduar Berisha.
Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që përfaqësitë e Kosovës jashtë vendit injorojnë delegacionet e partive opozitare që shkojnë për vizita zyrtare jashtë vendit. /Gazeta Enigma/.