Haradinaj: E kemi numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin për rrëzimin e Kurtit

Haradinaj: E kemi numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin për rrëzimin e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi se e kanë numrin e nevojshëm të deputetëve për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.



Ish-kryeministri Haradinaj para gazetarëve tha se është i papranueshëm eskalimi i fjalorit të kryeministrit ndaj aleatëve.

Sipas tij, një gjë e tillë e bën të vështirë rrugën përpara, për çka kanë filluar pasojat. Kreu i AAK-së, shtoi se mocioni i mosbesimit është zgjidhja e duhur.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të inicuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”, deklaroi ai.

Ai thekson se Kosova ka pranuar tri kërkesat e ShBA-ve dhe BE-së për deeskalimin e situatës.

“Tri kërkesat që janë paraqitur, në një mënyrë janë pranuar prej Kosovës. Siç edhe e dimë, veç është paralajmëruar edhe nga presidentja edhe nga kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve më veri. Ashtu siç është pranuar edhe mundësia e heqjes së njësive speciale nga objektet e komunës ku duhet të qëndrojnë në veri. Njëkohësisht edhe pranimi nga Qeveria e Kosovës për pranimin e krejt marrëveshjeve të mëhershme, si në marrëveshjen e Ohrit, paraprakisht edhe në marrëveshjen e Brukselit. Mendoj se këto tria janë çështje të dakorduara, veprimet e mëtejme të Qeverisë duhet të ndodhin tash, në kohë. Besoj se është me rëndësi të merret seriozisht kërkesa në kohë. Nuk janë ultimatum, nuk janë kërkesë e re, por pritje prej Kosovës me fillua për të vepruar”, deklaroi Haradinaj.

Tutje, ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë bërë tri gabime, të cilat tash po i vuan vendi.

“Institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime, për të cilat po i vuajmë pasojat. Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjitjë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve. Gabimi i dytë ishte insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantiar të gjithëve. I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidate të mirëfilltë. Edhe zgjidhja me i kryer funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençur. Gaboi kryetari i qeverisë kur insistoi t’i vendos ata me forcë policore në objekte. Të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë, prej Vuçiqit, prej bandave atje të kriminelëve më veri. Është koha e fundit që ta kthejmë faqen, ta fillojmë një plan serioz me bashkësinë ndërkombëtare, mos t’i rrejmë më”, shtoi ai.

Related Articles