Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas mosekzekutimit të pagave për sektorin publik, raporton Gazeta Enigma.
Ai ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet sot për të bërë zgjidhje për çështjen e pagave të sektorit publik të cilat ende nuk janë ekzekutuar.
Ai ka thënë se rruga e vetme është amandamentimi i Ligjit për shërbyesit civilë dhe se çdo përpjekje tjetër është shkelje ligjore.
“Situata e krijuar me mosrealizimin e pagave për sektorin publik, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe shpërfillje e skajshme e mijëra punëtorëve të këtij sektori. Kjo çështje kërkon zgjidhje urgjente. Rrugëdalja e vetme është thirrja me urgjencë e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhej amandamentimi i Ligjit për shërbyesit civilë, që do të mundësonte një zgjidhje të menjëhershme, gjë që Aleanca do ta kërkojë qysh sot”, ka thënë Haradinaj. / Gazeta Enigma.