Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka apeluar për krijimin e një qendre gjithëpërfshirëse për trajtimin e kancerit të gjirit, duke e quajtur këtë një nevojë emergjente për vendin.
Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi se kjo çështje kritike shëndetësore prek shumë familje kosovare dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga Qeveria, shkruan Gazeta Enigma.
“Gjatë këtij muaji të ndërgjegjësimit, kam mbështetur aktivitetet e Aleancës së Gruas së Kosovës në të gjithë vendin. AGK do të vazhdojë aktivitetin edhe përtej muajit rozë – tetorit. Ky angazhim i vazhdueshëm është shembull i përkushtimit,” shkroi ai.
Ai theksoi se nuk mund të qëndrohet duarkryq ndërsa gratë, nënat, motrat dhe bijat luftojnë me këtë sëmundje.
“Pavarësisht dallimeve politike, të gjithë duhet të ofrojmë mbështetje për të krijuar një qendër moderne që do të ofrojë diagnostikim të hershëm, trajtim cilësor dhe mbështetje psiko-sociale për të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Kjo është më shumë se një çështje shëndetësore – është një investim në të ardhmen e vendit,” përfundoi Haradinaj./GazetaEnigma/