Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar të hënën se partia e tij i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të saktësuar shkeljet kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit, për siç ka thënë ai “të jepet një zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç”, raporton Gazeta Enigma.
“Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese. Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç”, theksoi ai.
Ai situatën e krijuar në Kuvend e quan të turpshme. “Me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore”.
“Dëmet nga bllokada që po i bëhët konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës”, shtoi ai.
Ai theksoi po ashtu se deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, “kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt”. / Gazeta Enigma.