Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se kryeministri, Albin Kurti, është duke u shërbyer interesave të Rusisë e të Serbisë, për destabilizim të veriut e të rajonit.
Kjo sipas tij po ndodh pasi që Kurti ka refuzuar këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për targat ilegale.
Haradinaj ka vlerësuar se po të shtyhej ekzekutimi i këtij vendimi, gjendja në veri nuk do të ishte ajo që është tani.
Si pasojë e kësaj, Haradinaj ka vlerësuar se Kosova është shndërruar edhe në fajtor për gjendjen e krijuar në veri të vendit.
Në një kolumne dërguar mediave, Haradinaj ka theksuar se Kurti nuk mund të amnistohet për gjendjen e krijuar në veri.
“Kosova assesi nuk guxon të lejojë që bandat dhe krimi ta marrë kontrollin në veri. Por është e domosdoshme që Kosova njëkohësisht t’i gjykojë drejt edhe veprimet e veta dhe të institucioneve të saj. Përfundimisht, kryeministri Kurti duke refuzuar ta ndjekë rrugën amerikane, është duke u shërbyer interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai është shprehur i bindur se SHBA-të dhe NATO-ja nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe se në veri do të kthehet normaliteti.
Sipas Haradinajt pas sanimit të pasojave nga gjendja e krijuar, secili që ka qenë i përfshirë në aktet kriminale në veri do ta marrë ndëshkimin e merituar.
Sipas tij Kurti dhe Qeveria, nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap krye në vete e pa koordinim me partnerët SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. “Me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës dhe Albin Kurti duhet ta kuptojë këtë”, ka shkruar Haradinaj.