Hasani: Kjo situatë është njollë e zezë në historinë politike e kushtetuese të vendit, Kurti po i ikë Aneksit të Ohrit

Hasani: Kjo situatë është njollë e zezë në historinë politike e kushtetuese të vendit, Kurti po i ikë Aneksit të Ohrit

Situata aktuale e bllokadës institucionale në Kuvend dhe sjellja e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari “do të mbahen mend gjatë si një njollë e zezë në historinë politike dhe kushtetuese të vendit”, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ai thotë në një intervistë për Gazetën Express se gabimi më i madh i politikës kosovare ka qenë që “moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka përcaktuar si vepër të veçantë penale, siç kanë vepruar disa vende të tjera”. Ashtu, “shumëçka do të kishte qenë ndryshe”, beson ai.

Hasani thotë se Albulena Haxhiu nuk mund të jetë ushtruese e detyrës së Presidentit, por “edhe sikur të ishte”, sipas profesorit, as ajo dhe askush tjetër në atë cilësi s’ka të drejtë t’i ftojë partitë për konsultime për çështje politike, përveç nëse bëhet fjalë për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Ai thotë se nuk duhet të dërgohet rast i ri në Kushtetuese për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

Me kërkesë të kryeministrit në detyrë, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 korrik u ndërprerë dy herë radhazi dhe vazhdimi i saj nuk u thirr më, me arsyetimin e partisë në pushtet se paraprakisht duhet një marrëveshje për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

Hasani thotë se me këto veprime, Kurti “është duke ikur nga Aneksi i Ohrit” me Serbinë, për të cilin ai thotë se “është detyrimi më i rëndë dhe më i poshtër ndërkombëtar i Kosovës që nga Kuvendi i Prizrenit i vitit 1945, një tradhti ndaj Kosovës, pa asnjë dyshim”.

Intervista:

Gazeta Express: Bllokada institucionale po vazhdon. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, po vijon të veprojë sipas vullnetit të kryetarit të partisë, Albin Kurti, i cili thotë se Kuvendi s’duhet të konstituohet pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit. Si e keni parë këtë?

Hasani: Kjo sjellje është tërësisht jokushtetuese dhe arbitrare, siç ka qenë edhe vitin që lamë pas. Është moralisht e papranueshme, përveç aspektit juridik, që një njeri në atë moshë të pranojë të luajë një rol të tillë krejtësisht antikushtetues dhe në dëm të së ardhmes së Kosovës. Kjo periudhë dhe sjellja e zotit Dehari do të mbahen mend gjatë si një njollë e zezë në historinë politike dhe kushtetuese të vendit.

Kryesuesi i Kuvendit nuk ka asnjë të drejtë të bëjë vlerësime të gjendjes faktike politike në vend, as të veprojë ndryshe nga agjenda e paracaktuar nga kryetari i vjetër i Kuvendit dhe forcat politike në Kuvend. Këtë e ka konfirmuar disa herë Gjykata Kushtetuese.

Vlerësimi i zotit Dehari se mund të ketë konflikt, bazuar në skandalin që vetë ai ka lejuar të krijohet, paraqet një sjellje arbitrare që nuk i ka hije një njeriu të moshuar, i cili do të duhej të ishte shembull i respektimit të Kushtetutës dhe ligjit në vend, si dhe i demokracisë parlamentare.

Gabimi më i madh i politikës kosovare ka qenë që moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka përcaktuar si vepër të veçantë penale, siç kanë vepruar disa vende të tjera. Një zgjidhje e tillë do të kishte ndihmuar shumë në kontekstin e kulturës së dobët institucionale në Kosovë, ku, jo rrallë, frika nga sanksioni mbetet arsyeja më e fuqishme për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Shumëçka do të kishte qenë ndryshe.

Gazeta Express: Albulena Haxhiu tha sot se zgjedhja e Presidentit, në këtë rast, është “hapi i parë nga duhet të nisemi”. Si e komentoni këtë interpretim?

Hasani: Zonja Haxhiu nuk mund të flasë në emër të shefit të shtetit. Ajo, në momentin që ka dhënë betimin si deputete, nuk mund të jetë më Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Republikës. E njëjta vlen edhe për zotin Albin Kurti. Zoti Kurti ka qenë në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë në pjesën dërrmuese të kohës që nga mbarimi i mandatit të tij të rregullt si kryeministër më 2025.

Nëse zonja Haxhiu ka folur si deputete dhe në emër të partisë së saj, atëherë ajo ka plotësisht të drejtë kur thotë se organi i parë që duhet të zgjidhet është Presidenti i Republikës. Kjo është kështu, siç e kam thënë disa herë, sepse një gjë të tillë e thotë paragrafi 162 i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpalli tërësisht të pavlefshëm dekretin e zonjës Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, sa ishte Presidente e Republikës.

Kjo, pra, nuk është diçka e re dhe ka qenë e ditur që atëherë se shefi i shtetit duhet të zgjidhet, sepse kjo përbën një detyrim të qartë që buron nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Gazeta Express: Si e vlerësoni ftesën e Haxhiut për liderët e partive për t’u takuar të martën?

Hasani: Zonja Haxhiu, siç e thashë, nuk është Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Republikës, për arsyet e cekura më sipër. Bëjnë gabim ata që e cilësojnë si të tillë dhe i adresohen zonjës Haxhiu në atë cilësi.

Edhe sikur të ishte vërtet Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Republikës, zonja Haxhiu dhe askush tjetër në atë cilësi nuk ka të drejtë t’i ftojë partitë për konsultime me qëllim të marrjes së qëndrimeve të tyre politike, përveç rastit kur kjo ka të bëjë me caktimin e datës së zgjedhjeve. 

Edhe kjo mundësi përjashtohet sepse, siç e thashë, me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin antikushtetues të zonjës Osmani, nuk lihet hapësirë për pasjen e një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për një kohë të gjatë, përveç rasteve objektive që lidhen me sëmundjen, vdekjen ose situatat që cilësohen si vis major.

Se Ushtruesi i Detyrës nuk mund të bëjë vlerësime dhe cilësime politike, e as të kërkojë mendime politike nga forcat politike të vendit, këtë e ka thënë Gjykata Kushtetuese kur ka vendosur për rastin nëse Jakup Krasniqi, si Ushtrues i Detyrës së Presidentit, kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës për shkak se mbante edhe postin e sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në të njëjtën kohë që ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës. Me atë rast, Gjykata ka bërë të qartë se nuk mund të ketë shkelje kushtetuese, sepse Ushtruesi i Detyrës nuk është person i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës dhe, për pasojë, nuk mund të përfaqësojë unitetin e popullit të Kosovës.

Gazeta Express: Si e vlerësoni ftesën e Haxhiut për liderët e partive për t’u takuar të martën?

Hasani: Zonja Haxhiu, siç e thashë, nuk është Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Republikës, për arsyet e cekura më sipër. Bëjnë gabim ata që e cilësojnë si të tillë dhe i adresohen zonjës Haxhiu në atë cilësi.

Edhe sikur të ishte vërtet Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Republikës, zonja Haxhiu dhe askush tjetër në atë cilësi nuk ka të drejtë t’i ftojë partitë për konsultime me qëllim të marrjes së qëndrimeve të tyre politike, përveç rastit kur kjo ka të bëjë me caktimin e datës së zgjedhjeve. Edhe kjo mundësi përjashtohet sepse, siç e thashë, me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin antikushtetues të zonjës Osmani, nuk lihet hapësirë për pasjen e një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për një kohë të gjatë, përveç rasteve objektive që lidhen me sëmundjen, vdekjen ose situatat që cilësohen si vis major.

Se Ushtruesi i Detyrës nuk mund të bëjë vlerësime dhe cilësime politike, e as të kërkojë mendime politike nga forcat politike të vendit, këtë e ka thënë Gjykata Kushtetuese kur ka vendosur për rastin nëse Jakup Krasniqi, si Ushtrues i Detyrës së Presidentit, kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës për shkak se mbante edhe postin e sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në të njëjtën kohë që ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës. Me atë rast, Gjykata ka bërë të qartë se nuk mund të ketë shkelje kushtetuese, sepse Ushtruesi i Detyrës nuk është person i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës dhe, për pasojë, nuk mund të përfaqësojë unitetin e popullit të Kosovës.

Gazeta Express: Ka interpretime të ndryshme nëse duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese moskonstituimi i Kuvendit në këtë mënyrë. Çfarë mendoni ju?

Hasani: Asnjëherë askush nuk duhet të dërgojë rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, për arsyen e thjeshtë se një hap i tillë do ta vinte nën presion dhe terror të panevojshëm Gjykatën Kushtetuese, siç e kemi parë vitin e kaluar, kur lakejtë e pushtetit, përfshirë ish-Presidenten e Republikës dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrën më të paturpshme sulmonin frontalisht kolegët e Gjykatës Kushtetuese.

Ekzistojnë aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që kanë sqaruar çdo detaj të formimit të organeve qendrore kushtetuese, para dhe pas zgjedhjeve nacionale, çdoherë kur ato mbesin vakante dhe pa ushtrues detyre. Një inicim eventual i një rasti për çështje krejtësisht të njëjta dhe tashmë të ditura qartësisht do të përbënte abuzim me të drejtën dhe, pa asnjë dyshim, do të paraqiste përpjekje për paralizimin e Gjykatës Kushtetuese përmes presionit dhe terrorit politik.

Gazeta Express: Cilat janë, sipas jush, motivet e Kurtit që kësaj here zgjodhi këtë variant për të mos e konstituuar Kuvendin, edhe pse u kujdes të thotë se i ka votat edhe për Kuvend, edhe për qeveri?

Hasani: Aneksi i Ohrit i vitit 2023, siç e kam thënë më herët, është detyrimi më i rëndë dhe më i poshtër ndërkombëtar i Kosovës që nga Kuvendi i Prizrenit i vitit 1945, një tradhti ndaj Kosovës, pa asnjë dyshim.

Unë jam i sigurt se zoti Kurti është duke ikur nga Aneksi i Ohrit. Me veprimet e tij kundër rendit kushtetues kosovar, Kurti po i ikën së kaluarës si Oresti Erinieve, por, sa më shumë largohet, aq më pranë i qëndron faji.

Zoti Kurti e di se ai, ose dikush pas tij, do të detyrohet ta zbatojë atë detyrim. Kushdo që e zbaton, e bën në emër të zotit Kurti, si prodhues ekskluziv i atij detyrimi.

Gazeta Express: Sot një muaj pritet vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë. A shihni ndonjë ndërlidhje mes bllokadës aktuale dhe shpalljes së atij verdikti?

Hasani: Mund të ketë ndonjë ndërlidhje edhe aty, por nuk jam i sigurt dhe nuk dua të spekuloj.

Gazeta Express: Çfarë vendimi prisni nga Haga?

Hasani: Unë kam ndjekur me shumë kujdes punën e Gjykatës Speciale që nga dita e parë. Për aq sa ka qenë publike, jam i sigurt se mënyra e caktimit të përgjegjësisë, e njohur si “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” (NPK), mbi të cilën bazohet aktakuza kundër zotit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, bie dhe nuk mund të provohet. E them këtë sepse nuk mund t’u falet më shumë besim provave me origjinë nga Serbia sesa dëshmive dhe dokumenteve të ofruara nga liderë ushtarakë, civilë dhe të sigurisë nga Perëndimi, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të mirëinformuar për çdo gjë që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe në vendet përreth.

Në momentin që nuk provohet NPK-ja, atëherë vlen përgjegjësia individuale e secilit dhe aty është vështirë të thuhet nëse ka prova të prekshme, sepse, siç e thashë, një pjesë e madhe e procedurës ka qenë e redaktuar (censuruar).

Thënë shkurt, jam optimist, sepse NPK-ja nuk mund të provohet dhe ajo është shtylla e aktakuzës mbi të cilën ajo bazohet.

Gazeta Express: Një shtetas kosovar, arsimtar nga Dragashi, u arrestua për spiunazh. Viteve të fundit ka pasur disa raste të tilla të kapjes së shtetasve kosovarë që spiunojnë për Serbinë. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Hasani: Për aq sa kanë qenë publike rastet e arrestimeve për spiunazh, një gjë kam vërejtur: në të gjitha rastet, pa përjashtim, Serbia ka kërkuar nga spiunët kosovarë që të përcjellin dhe të raportojnë mbi çështjen e Islamit politik në Kosovë dhe gjendjen e tij. Kjo është shumë shqetësuese dhe secili politikan duhet ta marrë seriozisht këtë fenomen.

Serbia çdoherë do të ketë njerëzit e vet në Kosovë dhe do të punojë për zhbërjen e shtetit të Kosovës, por Kosova duhet të punojë shumë që fenomenet që i shkojnë në favor Serbisë, siç është Islami politik, të adresohen dhe të trajtohen me kujdes. Vetëm me dhunë dhe kundërspiunazh të suksesshëm nuk adresohen problemet shpirtërore dhe indoktrinimi i qytetarëve të vendit. Duhet të punohet edhe më shumë me njerëzit tanë për të parë shtrirjen e Islamit politik, i cili është kryesisht i bazuar në rrymat selefiste dhe vehabiste, pra jo në Islamin tradicional hanefi, dhe të nxirren konsekuencat për veprim politik dhe shoqëror nga një analizë e tillë.

Nëse kjo nuk bëhet, atëherë ne rrezikojmë t’i radikalizojmë edhe më shumë qytetarët tanë, duke i paragjykuar në aspektin fetar dhe kombëtar. Thënë shkurt, duhen parë rrënjët e spiunazhit serb në Kosovë dhe, duke u nisur nga kjo, të ndërmerren veprime të gjera politike, shoqërore, kulturore dhe të tjera për ta vënë nën kontroll tendencën për politizimin e Islamit në dëm të interesave shtetërore të Kosovës.

Related Articles