Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë dhe MD-së për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional.
Ajo shtoi se këtë e tha në konferencën “E ardhmja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut. Në veçanti, adresova faktin se përpjekjet tona synojnë garantimin e pavarësisë, llogaridhënies, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të sektorit të drejtësisë në vendin tonë”.
“Përmenda të gjitha reformat që kemi ndërmarrë që nga fillimi i mandatit dhe progresin e arritur me theks ato që ndërlidhen me Vettingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, ka thënë Haxhiu.
Kjo konferencë regjionale po mbahet në Zagreb-Kroaci, organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Kroacisë në bashkëpunim Komisionin Evropian.
Aty po marrin pjesë ministra të Ballkanit Perëndimor, ata nga Ukraina, Turqia, Gjeorgjia, Moldova, si dhe përfaqësues nga BE-ja.