Haxhiu: Engel ngriti zërin për Kosovën kur bota heshti

Haxhiu: Engel ngriti zërin për Kosovën kur bota heshti

Sot po mbahet seanca e Kuvendit në kujtim të kongresistit amerikan, Eliot Engel, raporton Gazeta Enigma.

E para që foli, Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Engel nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe se ngriti zërin në kohën kur bota heshti

“Sot, në këtë seancë kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re ngriti zërin fuqishëm për shkeljen e të drejtave tona, represionin dhe persekutimin nga regjimi serbo-jugosllav. Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin gjatë në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste ato dyer mbeten të mbyllura derisa bëhet tepër vonë. Rajoni jonë njeh mirë këtë pritje. Por, kur ke miq sikurse kongresisti Eliot Engel, hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”.

Ajo tha se Engel arriti të siguroj mbështetje për Kosovën në Kongresin amerikan.

“Disa javë më vonë, në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së u shqyrtua rezoluta 155 për Kosovën, tekst të cilin vetë Engel e kishte hartuar dhe e cila dënonte represionin në Kosovë, kërkonte rikthimin e të drejtave qytetare e politike të popullit tonë dhe rikthente Kosovën në vëmendjen e Washingtonit. Në raport me çështjen e Kosovës, Engel e kuptoi se kauzat e drejta kërkojnë unitet dhe bashkimin edhe të republikanëve, edhe të demokratëve. Prandaj suksesshëm arriti të sigurojë mbështetje të gjerë në Kongres”.

“Dy vite pas rezolutës, më 17 mars 1998, në Kongresin Amerikan, Engel foli për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë dhe kërkoi që represioni nga regjimi gjenocidal i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës të mos tolerohej në asnjë mënyrë. Ai e futi Kosovën në rend dite në Washington. Në ato vite të rënda, Kosovës nuk i hynin në punë reagimet e vonshme. Por njerëzit që flisnin me kohë dhe aty ku fjala ka peshë. Engel ishte njëri prej atyre njerëzve”, tha Haxhiu.

Related Articles