Haxhiu: Haki Abazit nuk i kemi faj, as nuk kemi çfarë t’i bëjmë

Haxhiu: Haki Abazit nuk i kemi faj, as nuk kemi çfarë t’i bëjmë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se Prokuroria Speciale është dashur qysh sot të marr në pyetje deputetin Haki Abazi.

Derisa ka komentuar deklaratat e sotme të këtij të fundit, ajo shton se janë të pabaza e tendencioze. Haxhiu për KosovaPress shprehet se nuk ka kuptim që të flitet në emër të Grupit Parlamentar, për sa kohë nuk përfaqëson atë.

Ministrja e Drejtësisë thotë se kushdo që vepron si deputeti Haki Abazi, nuk e ka parasysh dhimbjen e familjarëve të Astrit Deharit.

“Për mua është e habitshme, është e çuditshme që një person i tillë, një ditë në kohën kur po niste seanca e Kuvendit të Kosovës dhe pritej që të largohej nga kryesimi i komisionit, të cilën e ka udhëhequr deri sot të dal në një konferencë për media për problemet e tij individuale, personale të cilat i ka, të keqpërdor një rast të rëndë, të ndjeshëm, siç është rasti Dehari. Në radhë të parë, për mua është e papranueshme qasja që sot ka mbajtur deputeti Abazi dhe shto këtu faktin që në qoftë se i njëjti ka pasur informacione në raport me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, atëherë shtrohet pyetja se pse ka heshtur deri më tani. Pse bash sot?

Teksa thotë se akuzat e Abazit janë të rënda e të pabaza, ajo shton se prokuroria është dashur ta marrë në pyetje menjëherë pas konferencës.

“Dhe duke qenë e shqetësuar me deklaratat që ai ka dhënë, ndonëse unë e di që janë tendencioze, janë akuza të pabaza, megjithatë unë menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit që i njëjti t’i dërgojë deklaratat e tij në Prokurorinë Speciale, sepse siç jeni në dijeni Prokuroria Speciale është aktualisht duke trajtuar rastin të cilën e kemi dërguar para pak kohësh që ka të bëjë me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit”.

“Sipas, njoftimeve kryeprokurori i shtetit i është drejtuar Prokurorisë Speciale, kemi edhe një deklaratë publike të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që tha që do të merret në pyetje deputeti Haki Abazi. Por, unë mendoj që ai menjëherë pas konferencës është dashur që të merret në pyetje”, shton ajo.

Ajo i bën thirrje Prokurorisë Speciale që sa më shpejt të marrë në pyetje Abazi edhe të jetë dëshmitari i radhës.

Më tej, ministrja e Drejtësisë ka komentuar edhe shkarkimin e tij nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme.

“Unë kam qenë vet personalisht dy mandate kryetare e Komisionit për Legjislacion, unë si kryetare e komisionit aso kohe kam përcaktuar në komision qëndrimin e Grupit Parlamentar, sepse jam aty në emër të Grupit Parlamentar. Prej kohësh kur ky dallon në masë të madhe me qëndrimet e Grupit Parlamentar, ç’ kuptim ka që të mbetet kryetar i komisionit”.

“Ky është mendimi im edhe nga përvoja që kam pasur në Kuvendin e Kosovës. Le të vazhdoj me qëndrimet e tij individuale por jo në emër të Grupit Parlamentar, sepse është devijim i mbështetjes popullore që ne kemi marrë. Prandaj, edhe kam theksuar që nuk mund të jetë dikush në krye të një komisioni për sa kohë nuk përfaqëson Grupin Parlamentar”, thekson Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje, siç tha Haxhiu, është subjekti më demokratik. Kështu i përgjigjet ajo deklaratave të Abazit dhe aludimeve që deputetët nuk kanë mendim të lirë.

“Unë mendoj që Grupi Parlamentar dhe Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi është subjekti më demokratik në Republikën e Kosovës. Madje jo vetëm në Republikën e Kosovës. Sigurisht që mendimet edhe të tij të vazhdojë t’i thotë, askush nuk ja ndalon. Por, vendimet në grup merren me shumicë të votave. Prandaj edhe vendimi i shumicës është ai i cili obligon edhe deputetët tjera. Prandaj edhe të gjitha këto janë më shumë frustrime të tij për shkak të inateve që mund të ketë, mirëpo ne nuk i kemi as faj e as nuk kemi as çfarë t’i bëjmë”, shprehet më tej Haxhiu.

E pyetur se a po kërkohen votat për rrëzimin e qeverisë, e para e drejtësisë shprehet se këto mund të jenë përpjekje të opozitës.

“Mandati i qeverisë është katër-vjeçar dhe mendoj që jemi në rrugë të drejtë drejt realizimit të synimeve dhe zotimeve tona dhe nuk mendoj që, ka ndoshta përpjekje dhe dëshira të opozitës që të rrëzohet qeveria, por ne kemi shumicën në Kuvendin e Kosovës. Për sa kohë është kështu ne do të vazhdojmë që të ushtrojmë mandatin tonë”, përfundon Haxhiu.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi deklaroi sot se ekzistojnë audio dhe video incizime që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit./KP

Related Articles