Haxhiu kritikon gjuhën e përdorur ndaj saj: Unë s’kam pasur kurrë funksion unifikues, kam qenë opozitare

Haxhiu kritikon gjuhën e përdorur ndaj saj: Unë s’kam pasur kurrë funksion unifikues, kam qenë opozitare

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka folur për gjuhën e ashpër e termet fyese që janë përdorur ndaj saj, që kur erdhi propozimi në Kuvend për të qenë kryeparlamentare, raporton Gazeta Enigma.

Haxhiu tha se kjo formë e gjuhës dekurajon gratë tjera të merren me politikë.

“Ajo me çka unë jam përballur gjatë kësaj kohe, ‘është figurë përçarëse, është konfliktuoze, është monstrum politik, është terroriste politike, është specie e përçudnuar’. Së pari kjo gjuhë është e papranueshme, jo vetë që po bëhet ndaj meje, por ndaj kujtdoqoftë. Shqetësimi im është që kjo gjuhë denigruese, mizogjene, seksiste i dekurajon gratë të merren me politikë sepse kur shohin përbaltjet e grave, natyrisht që pastaj mendojnë mirë se a të merren me politikë. Unë asnjëherë nuk kam pasur një funksion unifikues”, theksoi Haxhiu.

Ajo thotë se nuk ka pasur asnjëherë funksion unifikues, por opozitar. “Kam qenë më shumë se 10 vite deputete e opozitës, gati 5 vite Ministre e Drejtësisë, dhe kam pasur përballje politike, por gati 15 vite aktivitet politik, asnjëherë nuk kam votuar për diçka që bie ndesh me qytetarët, me republikën, as nuk kam votuar Gjykatën Speciale, as Marrëveshjen e Prillit që parasheh Asociacionin, dhe jam krenare për veprimet e mia publike, por nuk është në rregull të më akuzojnë për diçka që nuk kam pasur, pra funksion unifikues nuk kam pasur”, shtoi ajo.

Duke i komentuar qëndrimet e opozitës ajo theksoi se ” nuk mund të na imponojnë emra”

Tutje ajo tha “Që nga 15 prilli, Kuvendi mbetet i bllokuar, herë me raportin e verifikimit të mandateve, e tash me emrin tim për kryetare të Kuvendit. Duhet ta keni parasysh se aktgjykimi i Kushtetueses i jep të drejtë partisë fituese të dalë nga zgjedhjet që të bëjë propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe këtë të drejtë nuk ia jep opozitës. Duhet të kuptohen forcat politike në Kuvend, të mishërohet vullneti i popullit, të cilët e kanë mbështetur fuqishëm LVV-në. Ne kemi shumë vullnet për të ecur përpara, por nuk mund të na imponojnë emra”. / Gazeta Enigma.

Related Articles