Haxhiu: Si asnjëherë më parë jemi të përkushtuar për ta luftuar dhunën në familje

Haxhiu: Si asnjëherë më parë jemi të përkushtuar për ta luftuar dhunën në familje

Në një konferencë të jashtëzakonshme me ministrin, Xhelal Sveçla, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi për vendimet e fundit të ekzekutivit, sa i përket mbrojtjes nga dhuna në familje, shkruan Gazeta “Enigma”.

Duke e përmendur rastin tragjik të vrasjes së 18 vjeçares nga Ferizaji, Marigona Osmani, Haxhiu tha se ministria që drejton ajo është e angazhuar plotësisht që raste të tilla të parandalohen në të ardhmen.  

Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me vrasjen makabre të të ndjerës Marigonës, dhe kjo është arsyeja që Qeveria ka dhënë një përkushtim maksimal sa i përket këtij rasti ,dhe jemi të vetëdijshëm nëpër situatën që po kalojmë, ku për shkak të dominimit të mendimit patriarkal burrat konsiderojnë që kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll mbi femrat. Kjo do të ndryshoj, e duhet të ndryshoj, jemi të përkushtuar për këtë, dhe padyshim se do të angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim”, tha ajo në konferencë.

Tutje ajo tha se “Si Ministri e Drejtësisë e kemi përgjegjësi koordinimin institucional në raport me rastet e dhunës në familje. Kemi zgjedhur koordinatorin nacional kundër dhunës, kemi themeluar grupin ndër ministror dhe është funksional si asnjëherë më parë. Kemi themeluar grupin për hartimin e strategjisë kundër dhunës në familje”.

Po ashtu ajo njoftoi për vendimin e sotëm të Qeverisë, ku u mundësua ndihmë juridike falas për të gjitha viktimat e dhunës në familje.

“Ne kemi bërë të mundur që përmes ndryshimeve ligjore që kemi bërë, kemi mundësuar që tu ofrojmë ndihmë juridike pa pagesë viktimave të dhunës në familje, viktimave dëshmitare të dhunës, viktimave të trafikimit por edhe personave që janë dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pra shteti merr përsipër që t’i mbroj ata”, theksoi tutje ajo. /Gazeta Enigma/




Related Articles