Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot nga mbledhja e Këshillit të Përgjitshëm të Vetëvendosjes ka sulmuar gjyqtarët dhe prokurorët e shtetit, shkruan Enigma.
Ajo ndërsa ka folur për thirrjet për intervistim që ja ka bërë Prokuroria Speciale, tha se ajo është ftuar për intervistim, por jo edhe gjyqtarët e prokurorët emrat e të cilëve ka përmend, e sipas saj këta të fundit janë pjesë e grupit të interesit në sistemin gjyqësor e prokurorial.
“Dy ditë më kanë mbajtur në Prokurori veç se kam thënë se gjyqtarët dhe prokurorët kanë tentuar me funksionuar me neve si me qeveritë e kaluara, pra me bërë favore njëri-tjetrit, ne i kemi thënë jo, unë kam përmendur emra të gjyqtarëve dhe prokrurorëve, por po duket se nuk i kanë ftuar në intervistë prokurorët, por më kanë ftuar veç mua, sepse s’po ju përshtatet, sepse emrat e prokurorëve që i kam përmend janë pjesë e grupeve të interesit aty, po s’ka lidhje le të më ftojnë edhe pas këtij fjalimi, do të shkojë sërish”, tha Haxhiu.
Ajo tutje tha se ‘sulmet, tendencat për hakmarrrje do të rriten se plani i tyre i përbashkët është për me arrit me ndiku te qytetarët, pra shpifja e tyre me u bërë e vërtetë për qytetarët e Kosovës’.
“Po përpiqen me thënë edhe ju jeni si na, jeni të korruptuar, ata e dijnë se kurrë nuk do të bëhemi si ata, Qeveria Kurti është qeveri e pakorruptuar, ministri i qeverisë Kurti nuk e keqpërdorë pozitën zyrtare”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është intervistuar nga Prokuroria Speciale në muajin korrik me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur me arratisjet që kanë ndodh nga burgjet e Kosovës.