Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se sot për sot, më shumë ka gjasa që të mos kandidojë për zgjedhjet lokale të vjeshtës, sesa të ndodhë e kundërta.
Ai tutje shtoi se kandidatin e LDK-së, e zgjedh kryetari i partisë, por aty ku ka marrëveshje politike, respektohet mendimi i degëve, respektivisht komunave.
“Nëse pyetem sot, më shumë ka gjasa që të mos kandidoj për Gjilanin, sesa të ndodhë e kundërta. Ne po punojmë maksimalisht që të krijojmë një gjeneratë të re të politikanëve lokalë për dhjetëvjeçarin e ardhshëm”, tha ndër të tjera Haziri.
Haziri ka folur edhe për vizitën e zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer bashkë me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Haziri në një intervistë për Blic ka thënë se nga kjo vizitë u mësua se dilogu ndërmjet dy vendeve do t’i ketë tetë pika kyçe.
“Kosova nuk duhet të hezitojë. Deri më tani, sipas termit marrëveshje gjithëpërfshirëse do të thotë se ose të gjitha marrëveshjet do të jenë të pranueshme, ose asnjëra prej tyre. Por, ajo që u mësua nga kjo vizitë është fakti se nuk do të ketë hezitime. Ajo që është e rëndësishme, dialogu do t’i ketë tetë pika kyçe”, tha ndër të tjera Haziri.