Hetimet rreth rastit Dehari, reagon Shoqata Sindikale e IML-së: Nuk biem pre e shantazheve

Hetimet rreth rastit Dehari, reagon Shoqata Sindikale e IML-së: Nuk biem pre e shantazheve

Shoqata Sindikale e Institutit të Mjekësisë Ligjore ka reaguar ndaj deklaratave e papërgjegjshme të politikanëve, të cilat po dëmtojnë imazhin e këtij instituti.

Shoqata sindikale e IML-së është shprehur e shqetësuar me krijimin e opinionit negativ dhe se deklaratat janë dashakëqija.

“Ne, Shoqata Sindikale e IML-së, të shqetësuar jashtë mase për krijimin e një opinioni negativ në lidhje me Institutin për Mjekësi Ligjore, nga deklaratat e shumta të papërgjegjshme, kryesisht të politikanëve të partive të ndryshme informojmë opinionin publik se në Institutin për Mjekësi Ligjore marrëdhëniet nderkolegiale nuk janë as më të mira e as më të këqija se në Institucionet tjera shtetërore”.

“Prandaj, deklaratat e tilla i dënojmë fuqimisht duke i konsideruar dashakëqija dhe me skenarë ogurzeza në drejtim të prishjes së imazhit profesional dhe hakmarrjes personale ndaj veprimeve ligjore sindikale dhe Shoqatës sonë”, thuhet në njoftim.

“Ne konsiderojmë se veprimet ligjore në raport me shkelësit e ligjit të deponuara me rrugë zyrtare dhe ligjore nuk paraqesin raporte te këqija ndër kolegiale, përkundrazi janë rruga e vetme zyrtare dhe ligjore në zbardhjen e së vërtetës, cilado që të jetë ajo, dhe se epilogun e veprimeve ligjore nuk mund ta përcaktojnë politikanët dhe as grupet e ndryshme të interesit, përveç organeve përkatëse ligjore, si Prokuroria dhe Gjyqësia”.

“Në këtë rrafsh është duke u tentuar të krijohet opinioni se shkelësit e ligjit na qenkan viktima dhe se çdo informatë apo shkresë ligjore për shkeljet ligjore të zyrtarëve të caktuar të konsiderohet si lloj shantazhi apo presioni ndaj Ministrisë apo zyrtarëve të caktuar brenda Ministrisë”, theksohet në reagim.

“Shoqata Sindikale e IML-së, konform statutit të saj, nuk do të bie pre e shantazheve dhe presioneve të tilla përmes opinionit publik dhe se deklaratat dhe informatat tona do të vazhdojnë përmes rrugëve ligjore në drejtim të mbrojtjes së integritetit profesional dhe njerëzor, të secilit anëtar sindikal, duke ftuar publikisht për bashkëpunim organet e drejtësisë në luftimin e çdo shkelje ligjore në Institutin për Mjekësi Ligjore”, thuhet në reagim.

Shoqata ka kërkuar që të merren masa ndaj personave që përhapin dezinformata.

Related Articles