Pjesë të Kosovës mund të përballen me përmbytje pasi parashikohen reshje të mëdha të shiut të martën dhe të mërkurën.
Të hënën mbrëma, Instituti Hidrometeorologji i Kosovës njoftoi se vendi do të përballej me reshje shiu në dy ditët në vijim, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.
Të martën, hidrologu Bashkim Kastrati tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa perëndimore e Kosovës është më e rrezikuara nga përmbytjet, si pasojë e mundësisë së daljes lumenjve nga shtrati.
“Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, tha instituti, pa dhënë më shumë hollësi.
Ndërkohë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” paralajmëroi të martën se ekziston rrezik i shtuar për vërshime në zonat e ulëta dhe pranë lumenjve gjatë ditës.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve t’i shmangin lëvizjet pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, në anën tjetër, u kërkoi qytetarëve të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe t’i shmangin zonat me rrezik vërshimesh.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./REL/
