Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, gjatë së mërkurës vizitoi komunën e Preshevës, ku u prit në takim nga kryetari Shqiprim Arifi.
Hill në Preshevë foli për çështje të ndryshme, por vuri theksin në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se momentalisht nuk ka zgjidhje më të mirë në tavolinë se sa themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Dhe një pikë tjetër për Asociacionin dhe gjërat tjera që janë në tavolinë, nëse do të mendoja se do të kishte një zgjidhje më të mirë do të shprehja interesim, por në këtë moment nuk mendoj se ka një zgjidhje më të mirë që është në tavolinë sot”, tha ambasadori amerikan, raporton teve1.
Hill foli edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ambasadori amerikan e bëri të qartë se një sulm i tillë nuk guxon të ndodhë më.
“Unë mendoj që ka një proces ligjor, por s’dua të komentoj. Por ne besojmë se bazuar në atë se çfarë ai ka thënë dhe avokatët e tij kanë dhënë, mendojmë se duhet të ketë llogaridhënie. Dua t’iu siguroj se për Banjskën SHBA-ja ka pasur një qëndrim shumë të qartë. Dhe pika e parë e këtij qëndrimi ka qenë që një incident i tillë nuk guxon të ndodhë kurrë më”, tha ai.
Kurse, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në prezencë të ambasadorit ngriti shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kurse në një moment, Hill, u pyet nëse po mban anën e Serbisë në dialog me Kosovën, por për këtë çështje ndërdyu Shqiprim Arifi, duke u përgjigjur në vend të ambasadorit amerikan.
Krejt në fund ambasadori amerikan, e bëri të qartë se e mbështesin emisarin për dialog, Miroslav Lajçak, dhe e lavdëroi diplomatin sllovak për kontributin që është duke e dhënë si ndërmjetësues.