Rashka, qyteza më e afërt e Serbisë në kufirin jugor të këtij shteti me Kosovën, po i pëlqen shumë Daria Aslamovës.
Mbase, për faktin se atje, gazetarja spiune ruse po frymon kaq lirshëm, siç duket në një video që e shpërndau në orët e vona të 7 Gushtit, për dallim prej territorit të shtetit fqinj, nga ku ajo u dëbua, të dielën, e në të cilin nuk mund të hyjë hiq në 5 vjetët e ardhshme.
Aslamova, që u shpall e padëshiruar me dyshimet se pati qëllime destabilizimi, nuk është e vetmja ‘non-grata’ në Kosovë, siguria e të cilit vend u cenua edhe rusë tjerë, si puna e Andrey Antonov, zyrtar i UNMIK-ut i cili nuk hyn dot në Kosovë nga 31 dhjetori 2021.
Për arsye të njëjta, e pak javë pas barrikadave të shtatorit të kaluar në veri, të padëshiruar u shpallën edhe bashkëkombësit e tyre, Alexei Krivoshev e Denis Vengerskii.
Rusë tjerë përfunduan edhe nën pranga, si puna e Igor Krasnikov e Marina Vladimirnova që në janar 2020 ishin zënë në rrugët ilegale pranë kufirit të Kosovës me Serbinë, duke udhëtuar me pajisje ushtarake.
Një muaj para kësaj, u arrestua edhe Andrey Kondrashov, që atëbotë ishte zëvendësdrejtor i rrjetit televiziv rus VGTRK. Ky po xhironte pa leje pjesën e Aeroportit të Prishtinës, e rezervuar për KFOR-in.
UNMIK humbi edhe zyrtarin tjetër, Mikhail Krasnoshchenkov, i cili u kap e u shpall nongrata pasi pengoi aksionin e policisë kundër kontrabandës në veri, më 28 maj 2019.
Një rus tjetër, por nga Estonia, Rodion Denisov ishte arrestuar në fund-gushtin e 2017-ës për propagandë me objektet fetare ortodokse, e kundër UÇK-së.
2 javë më herët, në Metregovc të Podujevës, u kapën e u arrestuan duke hyrë ilegalisht në Kosovë edhe 6 tjerë, të cilët u dënuan me gjobë, para dëbimit.
Agjencia e Inteligjencës u pati rënë në gjurmë edhe gazetarëve Oksana Sazonova dhe Sergei Belous, të cilët u ndaluan më 16 shtator 2016 në Hoqë të Madhe të Rahovecit.
Ata u dëbuan për 5 vjet sepse hynë ilegalisht, ndërkohë që po atë ditë në kufi ishte zënë edhe një gjerman me shtetësi ruse, i armatosur deri në dhëmbë.
Në Kosovë, ilegalisht e për qëllime të dyshimta nuk hynë vetëm civilë apo gazetarë.
Më 2016-ën, në veri, qëndroi për tri ditë ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Cepurin, për çfarë autoritetet nuk kishin pasur fare njohuri.
Klan Kosova ka provuar për shumë prej këtyre rasteve të marrë komente nga zyra moskovite në Prishtinë, por asnjëherë nuk mori përgjigje.