Hoti del me propozim për Qeverinë: Vetëm kështu mund të luftohet inflacioni dhe varfëria

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin është e vonuar dhe jo adekuate.

Zgjidhja sipas tij mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.

“Pakoja për përballje me inflacionin që u propozuar nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale”.

“Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai tha se për sektorin privat do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për tu reflektuar në rritjen e pagave të kategorive siç tha ai më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta.

“Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit. Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës”.

“Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit. Ndërkaq, për sektorin privat do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për tu reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta”, ka shkruar Hoti.

Related Articles