Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar sonte pasi ambasada e ShBA-së në Kosovë shprehu shqetësimin e saj për kundërshtimin e LDK-së dhe PDK-së për planin franko-gjerman.
Sot, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se janë të shqetësuar me deklaratat e krerëve të partive opozitare lidhur me propozimin e BE-së që parasheh normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, sipas Hotit, LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës.
Hoti listoi disa ngjarje që sipas tij janë kundërshtuar nga partia e kryeministrit Albin Kurti.
Ai shtoi se “forca politike që udhëheq me vendin i ka mashtruar qytetarët për 15 vite, sepse e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë, e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që ka trasuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës, e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e cila e ka sjellë njohjen nga Izraeli dhe përfitime të tjera”.
Deputeti i LDK-së shprehet se LVV-ja që udhëheq me vendin “e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht thirrjes nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së për të mbështetur atë, e sot e konsideron demarkacionin si çështje të kryer; – i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e dialogut në 10 vitet e fundit, disa prej të cilave kanë mundësuar shtrirje të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit dhe i kanë siguruar Kosovës prezencë në forume ndërkombëtare”.
Gjithashtu, ai u shpreh se Vetëvendosja “e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila siguron zbatim të Kushtetutës së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013”.
Ndërkaq sipas Hotit, tani e njëjta forcë politike pranon të zbatoj të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim.
“LDK-ja është kundër mashtrimit. LDK-ja është për shtetin e Kosovës. LDK-ja është për ruajtje të partneritetit me miqtë”, shkroi ai në Facebook.
Megjithatë, deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare “nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, ka thënë të hënën një zëdhënëse e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, ka thënë një zëdhënëse e ambasadës. “Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”.