Hoti: Qeveria të fokusohet te njohja reciproke, mos të rrëshqas në dialog teknik

Hoti: Qeveria të fokusohet te njohja reciproke, mos të rrëshqas në dialog teknik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë që Qeveria e Kosovës duhet që ta mbajë fokusin tek marrëveshja finale për njohje reciproke dhe të mos rrëshqas në dialog teknik.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Hoti ka thënë se me veprimet e qeverisë aktuale, dialogu po kthehet në teknik. Këtë reagim Hoti e bëri pas takimit të grupeve punues për çështjen e targave në Bruksel.

“Fatkeqësisht, me veprimet e qeverisë aktuale, siç është takimi i sotëm në Bruksel, po kthehemi prapa në dialog teknik. Për targat nuk ka asgjë çfarë të dialogohet. Marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021. Një vit më parë, në shtator 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish Ministri i Brendshëm Veliu e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar regjistrimin e automjeteve më tutje bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, në mënyrë që përtej datës 15 shtator 2021 të mos ketë në qarkullim automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit”, ka shkruar ai.

Kësisoj, sipas tij, dialogu me qeverinë aktuale është duke u zhvendosur nga fokusi për marrëveshje finale me njohje reciproke, në dialog për çështje teknike.

“Me këtë qasje të qeverisë aktuale po zhvendoset fokusi i dialogut nga “marrëveshja finale për njohje reciproke” në dialog për “çështje teknike”. Ky lloj dialogu, jo vetëm që e prolongon arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke, por krijon pritje të tjera tek partnerët ndërkombëtarë sa i përket pozicionit të Kosovës për natyrën e marrëveshjes finale”, ka shkruar më tutje ai.

Related Articles