Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe draft-statutin e përpiluar nga BE-ja, duke thënë se “ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”.
Hovenier i bëri këto komente si reagim ndaj kryeminsitrit Albin Kurti, i cili pati thënë se do e dërgojë në Komisionin e Venecias draft-statutin për themelimin e Asociacionit.
“Këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova.
Ai më tej tha se ShBA-ja dhe BE-ja do ta respektonte çfarëdo vendimi të Kushtetueses, teksa shtoi se do të prisnin që edhe Kosova ta bënte të njëjtën gjë, teksa foli edhe për propozimin e kryeministrin Albin Kurti, që drafti të dërgohet në Komisionin e Venecias nga emisari special, Miroslav Lajçak.
“Nuk e di qëllimin e këtij propozimi. Sërish, nuk besoj…. Ne e respektojmë shumë Komisionin e Venecias, por shumë ekspertë të respektuar kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij draft-statuti. Nuk mendoj se kemi frikë nga çka do që Komisioni i Venecias mund të bëjë me të, por nuk e zgjidh problemin themelor. Çështja siç e kuptoj unë apo siç e kam dëgjuar nga qeveria është se nuk janë të bindur se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
“Komisioni i Venecias nuk mund të marrë një përfundim të tillë. Por, a e dini kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, le ta dërgojmë draftin me ndonjë – sërish, keni të drejtë, kryeministri ka të drejtë, qeveria e Kosovës duhet disi t’i japë ndonjë status përtej statusit të tanishëm për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por, nga këndvështrimi ynë, do të ishte mirë që qeveria ta ndërmarrë atë hap”, tha ai.