Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
Temë e diskutimit ishte edhe ndalimit të qindra qytetarëve kosovarë nga Serbia, në kufirin me Kroacinë përfshirë këtu edhe mbajtjen e zëvendësdrejtorit të policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.
Hovenier u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me këtë fakt.
“Jam shumë i shqetësuar, veçanërisht për dikë që e njohim që disa vite, i cili ka ndihmuar shumë në integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës”, tha Hovenier para mediave.
Gjatë së mërkurës shumë qytetarë nga Kosova u bllokuan nga Serbia në pikën kufitare me Kroacinë.
Pos kësaj 10 zyrtarë policorë, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e policisë Dejan Jankoviq u ndaluan nga autoritetet serbe.
Dje pesë nga ta u liruan, ndërkaq sot u liruan edhe katër të tjerë, ndërkaq Jankoviq po mbahet ende nga Serbia.