Hovenier për sulmin në Ibër-Lepenc: Në këtë fazë SHBA-të nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit

Hovenier për sulmin në Ibër-Lepenc: Në këtë fazë SHBA-të nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka ripërsëritur se ShBA-ja e dënon fuqishëm sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të vendit, duke theksuar mbshtetjen që SHBA-të po u ofrojnë institucioneve të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

Pas takimit të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori më tutje u shpreh se në këtë pikë, Amerika nuk është në një pozicion të thotë se kush mund të fshihet prapa sulmit.

“Në këtë fazë, SHBA nuk është në pozicion të atillë që të thotë se kush është mbrapa këtij sulmi… Këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo çka mund të them është që ne kemi ofruar mbështetje për autoritetet e Kosovës dhe mendojmë që është e rëndësishme që të ketë një hetim kredibil për të idenitifikuar personat përgjegjës dhe të sigurohemi që ata të mbahen përgjegjës. Ajo çka mund të them në këtë pikë është që nuk mund të themi se kush është përgjegjës dhe nuk jemi në gjendje të përjashtojmë asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët”, tha Hovenier.

Ai shtoi se janë të përkushtuar që në momentin që të dihen personat përgjegjës do të bashkëpunojë me autoritetet që ata të mbahen përgjegjës.

“Ky është zotim i SHBA’së dhe besoj që edhe i partnerëve tjerë”, tha ai.

Sulmi terrorist në Zubin Potok, konkretisht në kanalin e Ibër-Lepencit, ndodhi mbrëmjen e së premtes.

Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar Beogradin zyrtar që qëndron pas këtij sulmi. Sipas Kurtit, nëpërmjet sulmit në Varagë të Zubin-Potokut, Serbia ka tentuar që t’i lë pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje e pa komunikim qytetarët e Kosovës, duke shtuar se sulme të tilla si në kanalin ujor të Ibër Lepencit janë të ngjashme me sulmet ruse në Ukrainë./ Gazeta Enigma.

Related Articles