Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga Iraku

Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga Iraku

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në forumin ndërkombëtar “Delphi Forum Selmani”, që po mbahet në Irak.

Gjatë qëndrimit të tij atje, Hoxhaj ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë shtetërorë të Irakut, për të diskutuar çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe përpjekjet e Kosovës drejt njohjeve të reja ndërkombëtare.

“Kënaqësi të takohem dhe të bashkëbisedojmë për mundësi të reja mes vendeve tona me Dr. Dara Rashid Mahmud, Ministër për Planifikim Ekonomik i Irakut”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai ka publikuar edhe një fotografi me ish-ministrin e Jashtëm të Irakut, Hoshyar Zebari.

“Një foto para takimit me mikun tim, ish-Ministrin e Jashtëm të Irakut, Hoshyar Zebari, të cilin e kam takuar që para dy dekadash. Edhe kësaj radhe ia thashë të njëjtën gjë: Iraku nuk ka asnjë arsye për të mos e njohur Kosovën!”, ka theksuar Hoxhaj.

Pjesëmarrja e tij në këtë forum shihet si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të avancuar agjendën ndërkombëtare të Kosovës dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me vendet e Lindjes së Mesme.

Related Articles