“Deri në mbrëmje kam qëndruar si i vdekur në mesin e viktimave të masakrës së Reçakut, fati ka dashtë që unë të shpëtoj dhe sot të jem dëshmitar i gjenocidit nga shteti i Serbisë”.
Kështu fillon rrëfimi i Ramë Shabanit, i mbijetuari nga masakra e Reçakut, ku ai ende e ka të freskët ngjarjen e 15 janarit të vitit 1999.
Shabani tregon se në vendin ku ishte dërguar ai mbeti i vrarë edhe vëllai i tij duke theksuar se “vendin ku na kanë marrë fillimisht na kanë rrahur pastaj na kanë qit në pushkatim në at vend ku kam qenë unë ishin 29 të vrarë, aty ka mbetur i vrarë vëllai dhe 11 kushërirë e prej tyre ka që ende nuk dihet për fatin e tyre”
E lidhur me filmin dokumentar të cilin shteti serb ka filluar të xhiroj duke deklaruar që sipas tyre masakra e Reçakut është një gënjeshtër, i mbijetuari nga Reçaku thekson se një gjë e tillë nuk mund të dëshmohet pasi që ende ka dëshmitarë që mund të demantojnë fjalët dhe veprat e serbëve.
“Serbia mundet me bo filma sa të dëshirojnë por ka dëshmitarë të cilët ende janë gjallë, sepse e gjithë bota i ka pa, pleq, fëmijë e gra të masakruar, ata nuk mund të inskenojnë asgjë”, thotë Shabani për Gazetën Enigma.
Gjithashtu, Ramë Shabani është i gatshëm të dëshmoj edhe në Beograd po nëse është nevoja.
“Jam i gatshëm të dëshmoj edhe në Beograd nëse është nevoja, bota e din, edhe Walker ka deklaruar që kjo është masakër kundër njerëzimit ai është i njëjtë si për neve si për serbet, po të mos ekzistonte një masakër e tillë nuk kish me thënë diçka të tillë”, shton ai.
“Deri tani kurrë nuk na kanë marrë me dhënë dëshmi, kemi qenë 14 dëshmitar ndërsa tani shumica kanë vdekur e unë jam më i riu prej të mbijetuarve”, përfundon Shabani.
Kryetari i këshillit koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, Ahmet Grajçevci në një prononcim për Gazetën Enigma deklaron se ky xhirim nuk duhet të lejohet që të realizohet nga serbët.
“Të parët që do të lëndohen janë familjarët e viktimave pastaj edhe pjesa tjetër, prandaj duhet të reagojmë në të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare sepse ndalohet rreptësishtë xhirimi i filmave ku inskenohet gjëra të pa vërteta”, thotë Grajçevci.
Tutje ai potencon se Serbia e ka masakrën që vet e ka xhiruar prandaj shteti i Kosovës kërkon hapjen e arkivave të Serbisë.
“Serbia edhe masakrën vet e ka të xhiruar dhe e din fort mirë që e ka kryer në mënyrë komanduese nga forcat policore ushtarake serbe, ata e kanë filmuar jo vetëm atë masakër por çdo masakër prandaj ne kërkojmë të hapen arkivat e shtetit serb sidomos të ministrisë së punëve të brendshme dhe ministrisë së mbrojtjes sepse ata i kanë fshehur dosjet”, thotë ai
Përderisa, të premten, më 10 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, vizitoi ekipin e një projekti filmik që po punon në realizimin e një serie të dokumentareve, që sipas autorëve ka për qëllim të dokumentojë të vërtetën e kësaj ngjarjeje që mohohet nga zyrtarët në Serbi.
“Reçaku është një gënjeshtër e madhe, një falsifikim i tmerrshëm, një ofendim për gjithë njerëzimin dhe tek të gjithë ata që e kanë treguar këtë gënjeshtër, por Reçaku është një mundësi për të treguar se si padrejtësisht ne jemi shkatërruar, vrarë dhe sa jemi dënuar për mëkate të popujve tjerë”, citohet të ketë thënë Vulin gjatë vizitës.
E lidhur më këtë reagoi edhe zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai nënvizoi se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, ka thënë Stano
Duke komentuar qëndrimin e zyrtarëve në Serbi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se mohimi apo modifikimi i Masakrës së Reçakut ku u vranë 45 civilë shqiptarë, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, tha Stano.
Stano shtoi se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.
Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.
Walker, reagon duke potencuar se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktual në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.
“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ për masakrën e Reçakut, do t’i bëjë disa njerëz të besojnë. Dhe, në ndonjë formë, ata shpresojnë se historia mund të rishkruhet. Unë vazhdoj të them se [ngjarja] në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, thotë Walker.
Ndryshe, më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.
Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.
Kurse, deri tani Vullin ka mohuar disa herë edhe në të kaluarën Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”./Gazeta Enigma/