Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës në Leposaviq, Dragan Nikoliq, do të mbahet edhe për 30 ditë në paraburgim në Beograd, nën akuzën se ka bërë “veprimtari antikushtetuese” dhe “thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”.
Nikoliq, që njëherit është bashkëshorti i Ivana Nikoliqit, që kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 18 prillit në veri, ishte arrestuar më 10 prill në vendkalimin në Jarinjë.
Bashkëshortja e tij ishte futur në zgjedhje në listën e Parisë së Serbëve të Kosovës për Leposaviq.
Avokati i tij, Ivan Niniq, shkroi në Twitter mbrëmjen e së hënës se bashkë me Nikoliqin po mbahen në Burgun Qendror të Beogradit edhe tre serbë të tjerë.
“Dragan Nikoliq, nga Leposaviqi, edhe 30 ditë do të qëndrojë në paraburgim në Burgun Qendror në Beograd, nën akuzën e komplotit kundër rendit kushtetues dhe thirrjes për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë! Bashkë me të edhe 3 serbë”, thuhet në njoftimin e avokatit.
Niniq e pati cilësuar arrestimin e Dragan Nikoliqit si akt hakmarrjeje nga Beogradi, sepse bashkëshortja e tij Ivana pranoi kandidaturën për këshilltare në zgjedhjet në Leposaviqit.