Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se kërcënimet për alarmet e shpeshta për bomba në vendet e rajonit janë paralajmërime ruse.
Ibishi, në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se këto kërcënime duhet të merren seriozisht dhe të hetohen mirë edhe nga organizata ndërkombëtare.
“Nuk është rasti i vetëm në Kosovë, kjo situatë alarmante është në gjithë rajonin që nga Kroacia, Serbia, Mali i Zi e Bosnje e Hercegovina. Organet e sigurisë duhet të ndërmarrin masat e evakuimit dhe dominimit e hetimit të rasteve. Gjithë kjo luftë speciale siç e kanë cilësuar shumë vende vjen në rajon në kohën e paralajmërimeve ruse për destabilizimin e rajonit – këto duhet të merren seriozisht dhe organet e hetuesisë ti marrin seriozisht dhe identifikimin e prejardhjeve të këtyre kërcënimeve”.
“Këto kërcënime vijnë nga jashtë por shqetësuese është se besoj që këto kërcënime vijnë nga një organizatë e fuqishme. Mendoj se INTERPOL-i do të duhej të merrej me hetimin e kësaj çështje që po ndodhin në shumë vende”.
Tutje, Ibishi vlerëson se Kosova nuk ka kapacitete që të përballë e vetme këtë cështje – e për këtë duhet të shkëmbejë informacione me vendet fqinje.
“Ne nuk kemi kapacitete policore e as të inteligjencës për të ballafaquar këtë situatë për këmbimi i informacionit të inteligjencës me vendet fqinje është shumë i rëndësishëm për veprimin dhe zbulimin e këtyre rasteve”.
Pos tjerash, Ibishi, nuk përjashton mundësinë që këto kërcënime të kenë burim edhe Serbinë, njofton Klankosova.tv.
“Mund të thuhet se kanë ndërlidhje me alarmet në vendet fqinje pasi janë paralajmërime ruse por mund të kenë edhe burim Serbinë. Por, për këtë duhet të priten rezultatet e hetimeve” tha Ibishi.