Transferimet më të mira të Chelseat

Transferimet më të mira të Chelseat

Chelsea ishte shndërruar në “mbret’ të transferimeve nën udhëheqjen e Roman Abramovichit. Klubi londinez ka revolucionarizuar sportin me shpenzimet e mëdha.

Por edhe para se shumat e mëdha të parave të vinin në klub, Chelsea ka qenë në gjendje të bëjë disa transferime spektakolare. Dhe këtë e ka bërë me buxhet fare modest.

“GOAL” ka përzgjedhur dhjetë transferimet më të mira në histori të Chelseat.

Eden Hazard

“Po nënshkruaj me fituesin e Ligës së Kampionëve”.

Ky postim dramatik më 28 maj të vitit 2012 shënoi fillimin e një epoke të re në Stamford Bridge, me Eden Hazardin në krye.

Pas fitores dramatike në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Bayernit, Chelsea siguroi firmën e superyllit belg. Transferimi i tij nga kampioni i Francës, Lille, i kushtoi 32 milionë funte.

Paraqitjet e Hazardit në Francë ngjallën interesimin e dy klubeve të mëdha të Manchesterit. Kështu që angazhimi i tij ishte goditje e madhe e Chelseat, ndonëse jo një e lirë.

Hazard për shtatë vjet shfaqi potencialin madhor te Chelsea dhe ishte figurë e rëndësishme e skuadrës. Me 110 gola në 352 ndeshje, Chelsea mori më të mirën nga Hazardi para se ta shiste për 88 milionë funte te Real Madridi në vitin 2019.

Gianfranco Zola

Image

Në vitin 2003, para se Roman Abramovich ta merrte klubin, Gianfranco Zola ishte votuar lojtari më i madh i klubit në histori.

I ardhur nga Parma për 4,5 milionë funte, sulmuesi italian ishte pjesë e një ekipi të suksesshëm që kualifikohej për Evropë dhe fitonte shumë prej kupave vendore.

Zola ishte i dashur nga të gjithë në futbollin anglez. Sillte argëtim në fushë, ndërsa jashtë saj ishte pozitiv dhe i hapur.

Ai u bë lojtari i parë i Chelseat që fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të vitit, sipas përzgjedhjes së gazetarëve, në edicionin 1996/97. Koha e tij në Stamford Bridge përfundoi duke fituar pesë trofe të mëdhenj me Chelsean, përfshirë Kupën e Fituesve të Kupave.

Ishin lojtarë si Zola që tërhoqën Abramovichin te Chelsea. Ylli legjendar i bluve të Londrës, pa dëshirë, e refuzoi një ofertë nga oligarku rus në vitin 2003. Këtë e bëri që të mund të luante për klubin e fëmijërisë, Cagliari, para se të pensionohej nga futbolli.

Didier Drogba

Didier Drogba është i njohur si “mbreti” në stadiumin e Chelseat, “Stamford Bridge”, dhe rreth tij.

Ai ka shënuar golin më të rëndësishëm të Chelseat në histori. Në minutën e 88-të të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Bayernit, Drogba u shkëput lart dhe goditi topin me kokë për golin e barazimit.

Blutë vazhduan dhe fituan titullin evropian për herë të parë në histori. Menjëherë pas atij suksesi, Drogba u votua lojtari më i mirë në histori të klubit. Ai ishte transferuar nga Marseille për 24 milionë funte dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme te Chelsea.

Ai njihet si lojtar i ndeshjeve të mëdha. Ka shënuar shumë gola vendimtarë që e ndihmuan të fitonte 12 trofe në dy periudha të ndryshme në klub.

Charlie Cooke

Chelsea firmosi në vitin 1966 me Charlie Cook, të cilin e transferoi nga Dunee United për rekord të atëhershëm të klubit prej 72 mijë funtesh.

Ai luajti në skuadrën legjendare të drejtuar nga Tommy Doherty dhe që përbëhej nga lojtarë si Peter Bonetti, Peter Osgood dhe Alan Hudson.

Ajo gjeneratë fitoi finalen e famshme të Kupës FA në vitin 1970, që konsiderohet ende si një nga ndeshjet më të pista në histori të futbollit anglez.

Në ndeshjen e përsëritur në Old Trafford, Cook asistoi për golin e fitores në kohën shtesë. Chelsea ka fituar edhe Kupën e Fituesve të Kupave ndaj Real Madridit në vitin vijues, me Cooke në përbërje.

Ai bëri 410 paraqitje për klubin dhe u kthye dy vjet pas largimit, si trajner. Ai vlerësohet se ndihmoi klubin që të shpëtojë nga rrënimi financiar. E ktheu skuadrën nga kategoria e dytë në kategorinë e parë.

Frank Lampard

Frank Lampard do të qëndrojë në librat e historisë së Chelseat përgjithnjë. Ai ishte transferuar nga West Hami për 11 milionë funte në vitin 2011.

I ardhur para epokës së Abramovichit, Lampard i mbijetoi ndryshimit të madh në klub dhe filloi të shkëlqente me Jose Mourinhon si trajner. Klubi i dha fund pritjes 50-vjeçare për titull të kampionit.

Lampard u bë golashënuesi më i mirë në histori të Chelseat. Ndonëse mesfushor, ai realizoi 211 gola në 13 vjetët e tij te klubi nga Londra.

Me golat erdhën edhe 11 trofe të mëdhenj. Lampard u kthye në klub si trajner në kohën kur Chelsea i kishte të ndaluara transferimet. Si shumë trajnerë që e drejtuan atë, Lampard u shkarkua. Por trashëgimia e tij te Chelsea nuk mund të largohet kurrë.

Roy Bentley

Roy Bentley është emri më i vjetër në këtë listë. Ai kishte nënshkruar për Chelsean në vitin 1948, pasi ishte larguar nga ushtria menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

I blerë nga Newcastle për 11 mijë funte, Bentley zuri vend në librat e historisë me bilancin si golashënues.

Për tetë edicione rresht ai ishte golashënuesi më i mirë i Chelseat. Kjo kulmoi kur Chelsea fitoi titullin e parë në vitin 1955. Bentely është golashënuesi i pestë më i mirë në histori të klubit. Ka numër të njëjtë golash me sulmuesin e pavdekshëm Peter Osgood.

Cesar Azpilicueta

Image

Kapiteni aktual i skuadrës u bë lojtari i parë i Chelseat që fitoi të gjithë trofetë e mundshëm, pasi ndihmoi ekipin të fitonte Kupën e Botës për klube, këtë vit.

Azpilicueta kishte një karrierë të lavdishme, duke ngritur trofeun e vetëm që i mungonte atij dhe pronarit Abramovich. Ai fitoi nëntë trofe për dhjetë vjet, që kur u bashkua si mbrojtës nga Marseille në vitin 2012.

Në një karrierë konsistente, Azpilicueta është ngjitur në vendin e shtatë të listës së lojtarëve me më së shumti paraqitje për klubin.

Cilësitë drejtuese të lojtarit kanë bërë që Azpilicueta të jetë urë lidhëse mes epokës së vjetër që përbëhej nga lojtarë, si John Terry, Frank Lampard dhe Didier Drogba, si dhe epokës së re që për trajner e ka Thomas Tuchelin.

Marcel Desailly

Shumë mbetën të shtangur kur Chelsea angazhoi njërin prej mbrojtësve më të mirë në botë, Marcel Desailly, në vitin 1998.

Ai erdhi për 4,6 milionë funte nga Milani. Fituesi i titullit të botës dhe i Ligës së Kampionëve erdhi në një kompleks të zbehtë stërvitor, ndërsa klubi po angazhohej për të modernizuar infrastrukturën.

Gjatë kohës te Chelsea, Desailly fitoi vetëm një trofe të madh. Por e shtoi triumfin në Euro 2000 me vendin e tij, gjatë kohës te Chelsea.

Trashëgimi e madhe e tij mund të jetë ndikimi që pati te John Terry. E ndihmoi shumë atë në fillim të karrierës, para se anglezi të bëhej mbrojtës dominant për vite të tëra.

Petr Cech

Image

I ardhur në vitin 2004 për shtatë milionë funte nga Rennes, Petr Cech shihej se angazhim luksoz në kohën kur Carlo Cudicini po paraqitej në nivel të lartë.

Për më tepër, shtatë milionë mund të duken pak sot, por ishte shifra më e lartë që klubi kishte paguar për një portier. Me angazhimin e tij filloi epoka e Abramovichit. Cech shpejt dëshmoi se çdo cent i shpenzuar në të ishte i vlefshëm. Ai fitoi 12 trofe të mëdhenj, duke përfshirë atë të Ligës së Kampionëve, në 11 vjetët e tij në klub.

Ai ishte gjigant në finalen e vitit 2012, duke ndalë penalltinë e Arjen Robben në kohën shtesë, para se të ndalte dy gjuajtje të tjera në serinë e penalltive.

Ndikimi i tij te Chelsea vazhdon ende, pasi ai mban rolin e këshilltarit teknik dhe të performancës. Ai shërben si lidhje mes klubit dhe shtabit teknik. Ishte sidomos i përfshirë në nënshkrimin e Edouard Mendyt, që ka vazhduar me sukseset që i kishte Cech, prej se erdhi në vitin 2020.

Eddie McCreadie

Eddi McCreadie ka ndikuar në historinë e Chelseat më shumë se të gjithë në këtë listë. Ai kishte firmosur në vitin 1962 për pesë mijë funte, ndërsa erdhi nga East Stirlingshire.

Pasi zgjodhi blutë para Fulhamit, McCreadie ndihmoi Chelsean të promovohej në divizionin e parë, nën drejtimin e Tommy Dohrety. Mbeti në klub gjatë dekadës së shkëlqyeshme.

Gjatë asaj kohe, ai shënoi golin e fitores në finale të League Cup në vitin 1965, duke dribluar thuajse në tërë fushën. Ai e fitoi edhe Kupën FA dhe Kupën e Fituesve të Kupave.

Pas pensionimit në vitin 1973 ai kishte ndikimin më të madh te Chelsea. Klubi po përballej me shkatërrim financiar në kohën kur McCreadie u emërua trajner, në vitin 1975. Pa para për të shpenzuar, McCreadie i siguroi klubit një promovim të pamundur, duke nxitur të rinj të talentuar dhe disa lojtarë me përvojë, falë sukseseve që kishte në fushën e blertë. Shumë besojnë se ai promovim ndaloi një rënie të madhe të klubit nga Londra perëndimore.

Related Articles