Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Të shtëna me armë janë dëgjuar edhe mbrëmjen e së martës në parkingun e qendrës tregtare “Park Plazza’ në Podujevë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku gjatë ekzaminimeve që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë që dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast.
Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë që monitorojnë atë zonë, ku sipas të njëjtave burime, është vërejtur një veturë duke bërë ‘drifta’ dhe më pas një person ka gjuajtur me armë.
Gjatë ditës së djeshme është arritur që të identifikohet pronari i veturës e cila është parë në kamerat e sigurisë.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit dhe babait të tij, ku kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri me tre karikatorë dhe disa fishekë.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ata do të hetohen për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.