Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Mediterranean Women Mediators Network, të mërkurën ka organizuar tryezën virtuale për Liritë Fetare në Kosovë, në kuadër të projektit “Promovimi i Lirisë Fetare dhe Dialogut Ndëretnik në Kosovë”, raporton Gazeta Enigma.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësuesit nga bashkësitë fetare në Kosovë si: kryeimami Vedat Sahiti, përfaqësuesi i Kishës Katolike Don Mikel Sopi, përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjillore Driton Krasniqi, si dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.
Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, bëri një përmbledhje të legjislacionit në fuqi sa i përket lirive fetare, duke iu referuar edhe standardeve ndërkombëtare që derivojnë nga instrumente dhe konventa ndërkombëtare në zbatim të gjerë në botë.
Po ashtu, Miftaraj iu referua edhe raportit të Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Freedom House, të cilët vlerësojnë se ligji aktual në fuqi nuk garanton liri të mirëfilltë fetare në Kosovë.
Përfaqësuesit e bashkësive fetare konsideruan se ligji i vitit 2007 për liritë fetare është i tejkaluar dhe ka nevojë të menjëhershme për plotësim/ndryshim të tij.
Sipas tyre, ligji i plotësuar duhet të rregullojë statusin juridik të bashkësive fetare në Kosovë, duke u bazuar në trashëgiminë historike të bashkësive fetare ku dominon bashkëjetesa dhe harmonia fetare, e jo duke u bazuar në praktika të shteteve tjera, të cilat nuk e kanë të kultivuar këtë bashkëjetesë.
Me qëllim të mbrojtjes së pavarësisë së bashkësive fetare në Kosovë, u kërkua që organizimi i brendshëm të mos rregullohet me ligj, por të sigurohet një standard minimal i transparencës së bashkësive fetare në Kosovë.
Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë kërkuan që përmes ligjit të ri, mos ketë imponime ligjore nga Qeveria dhe të ketë gjithëpërfshirje.
/Gazeta Enigma/