Komuna e Deçanit, brenda disa ditëve u ballafaqua me një numër të madh të qytetarëve që “u vërsulën” drejt qendrave ambulantive në këtë Komunë, si pasoj e disa simptomave të ngjashme që u shfaqën, si: temperaturë të lartë, të vjella, diarre e marramendje, shkruan Gazeta Enigma.
Dyshimet e para ishin se helmimi ishte shkaktuar nga uji, nga mostrat e dërguara jashtë shtetit, dhe nga rezultatet e nxjerra, doli se pacientët janë të infektuar me dy lloje të baktereve, ajo ‘E.Coli’ dhe ‘Norovirus’.
I kontaktuar për këtë çështje, infektologu, Hamdi Ramadani, në një intervistë dhënë për Gazetën “Enigma” deklaroi se këto baktere janë patogjene dhe të rënda, ndërkaq nëse do të ishin më të zhvilluara, sidomos tek fëmijët do të mund të jenë të rrezikshme.
“Siç e dini, tani e sa ditë vendi ynë dhe Deçani me rrethin në veçanti ishte përballë me një shpërthim masiv të një epidemie, situata u paraqit e vrullshme me shumë të infektuar dhe shumë pacientë, me një simptomatologji të sindromit “toxoinfectio alimentar” apo helmimit me ujin e pijshëm”, tha Ramadani për Enigmën.
Njëherit, Ramadani ka shtuar se qytetarët e Deçanit kanë pasur fat që bakteret nuk janë aq të zhvilluara, sepse siç tha ai tek fëmijët e kanë efektin shumë më të rëndë.
“Ajo që është me rëndësi ishte niveli i mirë i trajtimit, kjo epidemi për fat përfundoj mirë dhe me pak pasoja. Këtu duhet shtuar se autoritetet shëndetësore në nivel vendi kanë qenë të mobilizuar në ndihmë të sëmurëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan. Tash u tejkalua kjo epidemi dhe u vërtetetua se ishte uji i kontaminuar me baktere dhe viruse noravirus si dhe forma ‘toxikogjene e E Coli EETP’, baktere e njohur për mjekësi që shkakton një infeksion të rëndë dhe helmim të popullatës nëse vjen me rrugë të ujit ose rrugë tjera”, ka thënë tutje infektologu.
Tutje ai deklaroi se raste të tilla nuk ka hasur në të kaluarën, ku janë infektuar kaq shumë persona, brenda kaq pak ditësh.
“’E Coli’ dhe ‘Noravirus’, këto janë baktere shumë patogjene dhe të rënda, por mënyra e trajtimit ishte e mirë dhe nuk pati raste me ecuri të keqe. Ndërsa si erdhi deri te kontaminimi i ujit të ujësjellësit mbetet të hulumtohen rrethanat, mënyrat ku organet kompetente. Duhet hulumtuar mirë rastin se si ka ndodhur, nga kush, me dashje apo pa dashje. Sistemi i ujitë ka mundur të jetë joadekuat dhe të kryqëzohet me ujëra të zeza, kjo mbetet të vërtetohet nga autoritete të vendit komuna, Instituti sanitar dhe ai kombëtar”, shpjegoi Ramadani.
Infektologu Ramadani tha se për fat të mirë ecuria e kësaj epidemie, është në përmirësim e sipër.
“Që në fillim ka qenë e qartë se bëhet fjalë për një shpërthim epidemik, për një epidemi, nga kontaminimi i ujit, ku aty banorët kanë konsumuar ata ujë për nevoja të tyre, për pije dhe për të tjera. Edhe pse vonë është bërë një diagnozë laboratorike, është e vonuar, siç e dini vazhdimisht IKSHPK-ja, ka bërë të ditur që po zhvillohet një koloni bakteriesh të quajtura E.Coli, por edhe forma të tjera të baktereve të cilat ne i quajmë baktere toksike”, ka thënë ai.
Ramadani tutje shpjegoi simptomat që paraqiten në raste të tilla.
“Trajtimi i helmimit ishte i drejtë, terapia dehidruese orale ose parenterale varësisht nga shkalla e infeksionit, ku ndikon pesha, sëmundja, temperatura etj. Kurse ndaj ‘E Colit’ në disa raste mund të përdoren dhe antibiotik specifik për këtë baktere gentamycina, me rrugë parenterale ose preparate tjera. Nuk duhet menduar në pasoja të epidemisë sepse me kalimin e sëmundjes edhe situata shëndetësore normalizohet, tha Ramadani për Gazetën “Enigma”.
Njëherit, Ramadani bëri thirrje qytetarëve, se duhet pasur kujdes të shtuar nga helmimet sidomos nga ai i ujit.
“Mbrojtje dhe kujdes të shtuar e permanent, sepse është rrezik të kemi helmime me ujin, pra hidrik që edhe ndodhi. Këto objekte duhet të mbikëqyren, të ruhen me persona të sigurte qoftë edhe policor, që aty afër askush nuk mundet të jetë i pranishëm. Por edhe stafi i sistemit të ujësjellësit po ashtu duhet të jetë konform me shërbimin sanitar i cili duhet kontrolluar mirë dhe sipas udhëzimeve shëndetësore”, ka shtuar ai.
Sipas Ramadanit , “Ky është një mësim për herën tjetër që mos të kemi raste apo epidemi kaq të mëdha nga uji i kontaminuar i ujësjellësve. Është e rëndësishme të shikohet dhe të inspektohet çdo ujësjellës, uji të jetë i mirë edhe nga aspekti higjenik”.
Ai theksoi po ashtu se organet përkatëse mjekësore dhe të sigurisë duhet ta hulumtojnë si ka ardhur ky kontaminim i ujit, mënyra si ka qenë e kontaminimit.
Ndërkohë organet kompetente në vend po merren me hetimin e këtij raste, teksa deri më tash Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Agjencisë Kosovare të Pyjeve me seli në Deçan, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Tashmë është bërë e ditur se arrestimi i tij lidhet me rastin e helmimit të mijëra qytetarëve në rrethinën e Deçanit. /Gazeta Enigma/