Ka disa javë që në Kosovë ka pasur një rritje enorme të rasteve pozitive me COVID-19, shkruan Gazeta Enigma.
E nga infektologët e gjithë kjo po cilësohet si një valë e re e lehtë e përhapjes së koronavirusit.
Disa nga shkaktarët kryesorë sipas tyre janë ardhja e mërgatës, grumbullimi nëpër ahengje të ndryshme dhe padyshim edhe numri i vogël i të imunizuarve me vaksinën kundër COVID-19.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar kryetarin e Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, i cili ka deklaruar se rritja e rasteve pozitive do t vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Në këto tri javët e fundit siç po raportohet nga Ministria e Shëndetësisë kemi një rritje të rasteve me COVID-19 në çdo ditë pothuajse”, tha Ramadani.
Tutje ai ka shtuar se “kjo rritje edhe do të vazhdoj, ishte edhe e pritshme nga ana mjekësore për shkakun se kemi një rritje të vazhdueshme të ardhjes së mërgimtarëve, tash e tri javë prej kur edhe ka filluar ardhja e tyre”.
“Së dyti kjo po shoqërohet dhe me grumbullime e tubime në masë nëpër qendra tregtare, ahengje, dasma, darka e tubime të shumta edhe në ambiente të mbyllura”, tha Ramadani.
Numri i vogël i të imunizuarve me vaksina anti-COVID, sipas Ramadanit ka ndikuar në këtë rritje të rasteve pozitive me koronavirus.
“Pastaj kemi një numër shumë të vogël të qytetarëve që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, deri më tani janë diku rreth 105 mijë qytetarë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij “kjo është shumë pak kur kemi parasysh se kjo është arma e vetme për të kufizuar ose zvogëluar rastet te moshat mbi 18 vjeç e lartë, pra është numër i vogël i qytetarëve të mbrojtur në vend me dozën përforcuese të vaksinës anti-COVID”.
Përqindja e të vaksinuarve kundër COVID-19 sipas Ramadanit nuk është e kënaqshme.
“Deri më tani janë diku mbi 823 mijë qytetarë që janë vaksinuar dhe imunizuar me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID, që do të thotë se nuk është ajo përqindje me dozën e dytë nuk është e kënaqshme pasi nuk e arrin as 60% e qytetarëve mbi moshën 18 vjeç”, ka theksuar Ramadani.
“Ndërsa me një dozë janë të vaksinuar mbi 903 mijë qytetarë, pra një shifër shumë e ulët edhe kjo. Pothuajse fare nuk kemi imunizim te mosha mbi 12 vjeç ose mbi 5 vjeç”, tha ai.
Ramadani: Rastet që e kanë kaluar koronavirusin nuk janë të sigurta, pasi që diku pas muajit të 9 ose 10 virusi mund të shfaqet përsëri.
“Përafërsisht janë mbi 225 mijë raste që e kanë kaluar infektimin me COVID-19, pra janë shëruar, por as kjo nuk jep ndonjë siguri të madhe pasi që imuniteti me kohë ulet dhe sëmundja prapë mund të rishfaqet diku pas 9 ose 10 muaj”, ka thënë Ramadani për Enigmën.
Këto janë disa nga shkaktarët e rikthimit të rasteve me COVID-19 sipas infektolugut Ramadani.
“Nga ana tjetër edhe këto tubime, ardhja e mërgatës, vaksinimi dhe imunizimi me dozën e tretë në shifra shumë të vogla janë faktori kryesor që po ndikojnë në këtë situatë dhe kjo situatë e rritjes së rasteve, e gjithë kjo na tregon se vetëm gjatë 24 orëve janë 164 raste të reja, por dhe rastet e ditëve paraprake po tregojnë një trend të rritjes së pandemisë në vend”, tha ai.
Kur kemi parasysh të gjithë këta faktorë kontribuues në rritjen e rasteve me COVID-19, dhe kjo do të zgjasë edhe ditëve dhe javëve në vijim.
“Në këto kohë duhet të kemi më kujdes dhe t’i respektojmë masat e përgjithshme anti-pandemike, ti bartim maskat të kemi higjienë sa më shumë, dhe së dyti vaksinimi dhe imunizimi duhet të jetë në masë më lartë”, tha ai.
Ramadani: Doza e katërt e vaksins anti-COVID nuk ka vend për diskutim.
“Ndërsa për dozën e katërt Ramadani thotë se duke pasur parasysh shifrat e vaksinimit me tri dozat e mëhershme as që mund të mendojmë në këtë drejtim”, theksoi ai.
“Nuk mund të mendojmë për dozë të katërt kur s’kemi vaksinim dhe imunizim të kënaqur as me dozën e tretë as me dozën e dytë dhe as me vaksinimin e moshës mbi 12 vjeç pothuajse fare”, tha ai.
Tutje ai ka bërë thirrje që situata aktuale duhet të menaxhohet me kujdes të shtuar duke parë edhe shtetet e rajonit.
“Duke pasur parasysh se tani ka më shumë të vaksinuar se herëve të tjera, atëherë nuk shohë të ketë një rritje të madhe ose valë të madhe me sëmundjen e COVID-19 pasi që kanë mbrojtje imunologjike”, tha ai.
“Duhet të shihet me kujdes situata epidemiologjike këtu dhe në rajon, dhe të mendohet për hapa më konkret të mbrojtjes, pra të ketë parandalim eventual”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se nga 570 testime, 164 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. /Gazeta Enigma/