Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një pjesëtarë të Policisë së Kosovës me gradën rreshter i cili ishte i përfshirë në një zënkë mes disa familjeve në fshatin Miradi e Ulët të Fushë Kosovës.
Sipas komunikatës për medie, “në një rast zënke në mes disa familjeve ishte përfshirë edhe një Zyrtar Policor (R.B), me gradën Rreshter, me detyrë në Stacionin Policor Aeroporti”.
Incidenti ishte raportuar të ketë ndodhur me datën 11.08.2021, rreth orës 19:30.
“Pas disa veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arrestuar tre persona njëri ndër ta edhe Zyrtarin Policor (R. B) që ishte i përfshirë në këtë incident”, thuhet tutje në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se “Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve” nga neni 366”.
Ndërkaq, kallëzimi penal i përbashkët IPK-PK është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“IPK ka rekomanduar që të dyshuarit, Zyrtarit Policor (R. B), t’i shqiptohet masa administrative suspendim nga puna”, thuhet në komunikatë.