Trajneri i SC Gjilanit, Zekirija Ramadani, në një intervistë për Gazetën Enigma ka folur për objektivat e klubit, stilin e lojës që pritet ta aplikojë, përforcimet, por edhe për ndeshjen me skuadrën nga Letonia, Liepajas në kuadër të Ligës së Konferencës. Kryetrajneri i ‘kuqebardhëve’ dha edhe një premtim për ‘Skifterat’, “do të japim maksimumin për t’u bërë kampion”, shkruan Gazeta Enigma.
Zekirija Ramadani është në futbollin kosovar për herë të katërt, konkretisht te SC Gjilani, pas angazhimeve të tij te Trepça ’89, Feronikeli dhe Prishtina.
Synimet thotë se i ka të qarta, synon që SC Gjilanin ta bëjë kampion për herë të parë.
“Një duhet ta dinë të gjithë ‘Skifterat’ se do japim maksimumin ne për të arritur titullin kampion dhe jam i bindur që edhe mbështetja e tyre nuk do mungoj dhe të gjithë se bashku në fund lus Zotin t’i gëzohemi suksesit titullit kampion”, tha Ramadani.
Prandaj, për ta arritur këtë qëllim, ai thekson se “do të japim gjithçka nga vetja”.
“Objektivi i klubit dihet që është titulli kampion dhe objektivë i të gjithë neve që jemi tek kjo skuadër është i njëjtë dhe do japim çdo gjë nga vetja që të arrijmë objektivin e shumë pritur”.
Trajneri shkupjan u zyrtarizua te Gjilani pas një sezoni te klubi Egnatia në Supeligën e Shqipërisë, duke e shpëtuar nga rënia nga Superliga.
Ai tregon edhe arsyet pse e zgjodhi SC Gjilanin për ta udhëhequr.
“Oferta e Gjilanit ishte me konkrete dhe duke i njohur mirë shumicën e futbollistëve dhe fjalët e mira që kam dëgjuar për Presidentin dhe drejtorët, zgjodha Gjilanin dhe ndihem shumë i motivuar që jam pjesë e kësaj skuadre”.
Ramadani: Stërvitjet po ecin mirë, lojtarët janë të motivuar
Trajneri shkupjan që po qëndron me skuadrën në Ohër të Maqedonisë Veriore, ka potencuar se stërvitjet kanë ecur mirë dhe futbollistët janë shumë të motivuar.
“Në stërvitje mbizotëron një energji dhe atmosferë shumë pozitive dhe kjo është shume e rëndësishme për mua si trajner”.
Ai flet edhe për futbollin që do ta aplikojë te skuadra te SC Gjilanit, por edhe për përforcimet që janë afruar në klub.
“Po deri tani kemi bërë katër prurje të reja që janë tre futbollistë që kemi punuar bashkë dhe njihemi shumë mirë ato janë Islami, Zeka, Krivanjeva kurse sa i përket Zabërgjes ai ka dëshmuar tek Drenica se bëhet fjalë për një futbollist shumë perspektiv me kualitet të lartë dhe po e dëshmon edhe këtu tek ne”.
“Çdo ekip që kam drejtuar në Kosove kemi qenë ekipi që shënuar më shumë gola se rivalet kjo do mundohemi te arrijmë edhe me Gjilanin te luajmë për të shënuar më shumë gola dhe ne çdo takim do futemi për fitore”.
“Do të mundohemi ta gjejmë modulin për të mposhtu Liepajan”
SC Gjilani dhe FK Liepaja do të luajnë takimin e parë me 7 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:00.
Ramadani thotë se bëhet fjalë për një kundërshtar shumë cilësor, por thotë kanë kualitet për të kaluar tutje.
“Deri tani kam parë dy ndeshje kampionale të kundërshtarit tonë dhe behet fjalë për një kundështar mjaft cilësore me shumë eksperience brenda ekipit dhe ajo qe i favorizon me shumë është që atje është duke u zhvilluar kampionati kanë 18 ndeshje të zhvilluara dhe kjo e favorizon shumë kundërshtarin, por edhe ne kemi kualitetin tonë dhe do mundohemi të gjejmë modulin e duhur për t’u përballur me këtë kundërshtar dhe shpresoj në kualifikim”.
Kur flet për garën kampionale në Kosovë, ai tregon se do të jenë 36 beteja për t’u fituar, për t’ia arritur qëllimit.
“Po secila skuadër ka bërë lëvizje për t’u përforcuar në reparte që kanë pas nevoje dhe secila do luftoj për të arritur objektivin e caktuar por do të jenë 36 beteja për të fituar titullin dhe ka shumë faktor që mund të vendosin, besoj dhe shpresoj të bëhet një kampionat shumë garues dhe të tërheqim sa më shumë tifozë nëpër stadiume” , përfundoi Zekirija Ramadani. /Gazeta Enigma/