IPK-ja nis hetimet ndaj zyrtarëve policorë për lirimin e imamit Mjekiqi

IPK-ja nis hetimet ndaj zyrtarëve policorë për lirimin e imamit Mjekiqi

Inspektorati Policor i Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj zyrtarëve në Stacionin Policor në Obiliq lidhur me rastin e lirimit të imamit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Behar Mjekiqi, të dyshuar për dhunë ndaj një gruaje.

Kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq, Behar Mjekiqi, u lirua në mënyrë të dyshimtë të martën në mbrëmje pas shoqërimit në polici nën dyshimin për rrahjen e të dashurës së tij me inicialet E.J..

Lirimi i tij pa u ndaluar për 48 orë përgjatë procedurës hetimore dyshohet se u ndikua nga Komandanti i Stacionit Policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri.

IPK-ja për Paparacin, ka thënë se ka nisur hetimet për rastin.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar të grumbullojë informacione pas publikimit të lajmit në medie lidhur me këtë rast”, thuhet në një përgjigjen e IPK-së.

Inspektorati ka thënë se ka kontaktuar me zyrtarët policorë në Obiliq, të cilët ndërlidhen me rastin, si dhe me prokurorin kujdestar, Musa Mehaj.

“Krahas grumbullimit të informacioneve nga hetuesit e IPK-së janë ndërmarrë edhe veprime hetimore konkrete që kanë përfshirë kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Veprimet tjera, ka bërë të ditur IPK-ja, do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit.

Related Articles