Isa Mustafa-Albin Kurtit: Marrëveshja e Uashingtonit nuk është marrëveshje private e Avdullah Hotit

Isa Mustafa-Albin Kurtit: Marrëveshja e Uashingtonit nuk është marrëveshje private e Avdullah Hotit

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur rreth raportit të Departamentit Amerikan të Energjisë për menaxhimin e Ujmanit, të cilin dje Ambasada e SHBA-së ia ka dorëzuar Qeverisë “Kurti”.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që do ta ndihmonte diskutimin midis palëve (Kosovës dhe Serbisë )për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Mustafa që ishte kryetar i partisë që qeveriste me vendin dhe nënshkroi këtë marrëvshje, ka treguar nëse pas këtij raporti Qeveria “Kurti” duhet që ta zbaton marrëveshjen e 4 shtatorit, pas thirrjeve të presidentit Joe Biden, se të gjitha marrëveshjet në Ballkanin Perëndimor, duhet të zbatohen në të kundërtën SHBA-ja do të vë sanksione.

“Për një shtet me rëndësi të madhe është kontinuiteti i qeverisjes, sepse partnerët nuk parapëlqejnë të bashkëpunojnë dhe të  investojnë në një vend ku një qeveri nuk zbaton zotimet, marrëveshjet dhe obligimet e qeverisë dhe qeverive paraprake. Nuk parapëlqejnë as bankat dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa,

Tutje ai tha se është në përgjegjësinë Qeverisë “Kurti” nëse do ta zbatojë këtë raport.

“Studimi i fizibilitetit për Ujmanin nga SHBA është një kontribut i veçantë, por edhe hap që tregon seriozitetin e SHBA-së ndaj kësaj marrëveshjeje. Çështja se a do ta zbatojë Qeveria këtë raport të studimit është në përgjegjësinë e Qeverisë. Ajo duhet ta studiojë dhe të deklarohet qartë për të”, tha ai pwr Front Online.

Mustafa tha se Marrëveshja e Uashingtonit nuk është marrëveshje private e Avdullah Hotit, por e Qeverisë së Kosovës dhe këtë duhet që ta kuptojw Kurti dhe partitë politike.

“Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje e Qeverisë së Kosovës. Nuk është marrëveshje private e z. Avdullah Hoti. Këtë duhet ta kuptojë Qeveria ‘Kurti’, por edhe çdo subjekt politik parlamentar”, tha ai për Front Online.

Ish-kryetari i LDK-së, tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet të kenë frikë nga Lëvizja Vetëvendosje për tu deklaruar rreth marrëveshjes së Uashingtonit dhe raportit të fizibilitetit, pasi që siç ta ai deklarimet e tyre mund t’i ndihmojnë Vetëvendosjes që të sillet si parti në pushtet dhe jo si opozitë e shtetit të Kosovës.

“Nuk duhet të kenë frikë nga Vetëvendosja as deputetët dhe grupet parlamentare që të deklarohen qartë për këtë marrëveshje dhe për këtë raport të fizibilitetit. Me këtë mund t’i ndihmojnë edhe Vetëvendosjes që ta kuptojë se duhet të sillet si parti në pushtet e jo të vazhdojë t’i bëjë opozitë shtetit të Kosovës, qeveri e të cilit është”, tha ai për Front Online.

Related Articles